Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-së, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga kryetari i partisë, Isa Mustafa, kanë vizituar sot fabrikën e drurit “Dekor Metal Kosova”, si dhe disa argjendari e biznese të tjera në lagjen Hani i Dilit në kryeqytet.
Me këtë rast, ata premtuan përkrahje për bizneset, si dhe politika fiskale të cilat do të jenë në shërbim të ambientit biznesor në vend.
Avdullah Hoti duke premtuar lehtësira fiskale tha se zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të jenë boshti i punës së tyre që do të bëjnë gjatë qeverisjes, raporton Ekonomia Online.
“Jemi sot në këtë biznes për të treguar përkushtimin tonë që kemi në zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e punësimit në qeverinë e ardhshme, ashtu siç kemi treguar në qeverinë që jemi në detyrë”, tha Hoti.
“Unë e përgëzoj këtë biznes të suksesshëm edhe të shëndosh. Kemi ndërmarr reforma fiskale për pakon e parë dhe e kemi të gatshme pakon e dytë fiskale që do t’i ndihmojë këtij biznesi për lëndë të para për imputet e prodhimit, dhe i garantojmë që në qeverinë e ardhshme ndihmojmë për t’i lehtësuar procedurat e të bërit biznes”, tha Hoti.
Kryeministri në detyrë Isa Mustafa tha se dëshirojnë që çdo lagje të ketë fabrika të tilla, biznese të tilla familjare të cilat hapin vende të reja të punës, sepse ndryshe nuk mund ta zgjidhin punësimin.
“Unë kamë dalë së bashku me kandidatin tonë për kryeministër për ta mbështetur. Unë kam besim të plotë se ndërmarrësit e këtillë me përkrahjen e qeverisë së ardhshme dhe të kryeministrit Hoti do të arrijnë që të zgjidhin problemin e papunësisë, të hapin vende të punës dhe të ofrojnë politika fiskale që janë të përshtatshme për bizneset, edhe për importe edhe për eksporte të produkteve tona dhe të kemi një vend në të cilin ne do të dëshirojmë të jetojmë”, tha Mustafa.
Avni Krasniqi, pronar i fabrikës së drurit “Dekor Metal Kosova”, tha se shpreson që edhe në të ardhmen do të përkrahen bizneset.
Gjithashtu ata kanë vizituar disa argjendari në Prishtinë, duke u premtuar kushte më të mira zejtarëve dhe zanatlive.
“Kemi punuar bashkë për dy vite e gjysmë për të përmirësuar kushtet e biznesit për zejtarët dhe zanatlinjtë që është komunitet shumë i madh, ku janë mbi 2 000 biznese të regjistruara në mbarë Kosovën rreth 500 prej tyre janë vetëm në Prishtinë, me një qarkullim prej 66 milionë euro, ku paguajnë 2.5 milionë tatime për shtetin”, tha ai.
“Kemi hequr TVSh-në për importin e lëndëve të para, duke e konsideruar arin si lëndë të parë, si valutë, si një pasuri. Tash me pakon e dytë fiskale kemi përgatitur që të ndryshojmë ligjin, për aplikimin e TVSh-së në shitje të përditshme…”, tha ai.