Mustafa, Hysenit: Përfaqësues i PDK-së në Ministri jam unë, s’lejoj të jem dekor

Prishtinë | 28 Dhj 2016 | 08:06 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa ka thënë se kabineti i ministrit Skender Hyseni nuk mblidhet asnjëherë, dhe se ai nuk njoftohet për zhvillimet brenda Ministrisë, ani se është zëvendësministër.

“Raportet personale me ministrin janë të mira, por po flasim për raporte zyrtare, të bashkëpunimit zyrtar, nga dhjetori kur jam emëruar zëvendësministër, kabineti nuk është takuar asnjëherë në përbërje të plotë”.

“Ka pasur raste kur jemi takuar me ministrin por unë kam dashur t’i bëj me dije ministrit dhe opinionit publik se përfaqësues i vetëm zyrtar i PDK-së në Ministrinë e Punëve të Brendshme jam unë si zëvendësministër”.

“Mua si zëvendësministër nuk më dërgohet asnjë vendim ose marrëveshje e Ministrisë, e as raportet nuk më vijnë, nuk është sekretari i ministrisë ai që e përfaqëson PDK-në, as zyrtarët servilë, por i vetmi përfaqësues i PDK-së jam unë”.

Mustafa që është i ftuar në intervistën “Ballë për Ballë” në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova ka thënë se për këtë çështje do t’i drejtohet Kadri Veselit dhe kryesisë së PDK-së.

“Nuk do të lejoj që për dështime eventuale, PDK të merr përgjegjësi për aq sa nuk jemi të përfshirë në ngjarje”.

“Nuk kam pasur rastin të ja them ministrit Hyseni këtë por po ia them tani publikisht, le ta dijë ministri edhe të gjithë në Ministri, që unë përfaqësoj PDK-në në këtë Ministri, nuk do të lejojë të jem dekor i grupeve të interesit brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme