Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke prezantuar projektligjin për Trepçën ka thënë se ky projektligj është i rëndësisë së veçantë për Kosovën.
“Me këtë duhet ta hapim të ardhmen e Trepcës”, ka thënë Mustafa duke shtuar se për përgatitjen e këtij ligji janë shfrytëzuar edhe përvojat e jashtme.
Duke kërkuar mbështetjen e të gjithë deputetëve për aprovimin e tij, Mustafa ka thënë se ligji përcakton qartë se resurset minerale janë pronë e Kosovës prandaj me këtë ligj, sipas tij, Trepça është dhe mbetet pronë e Kosovës.
“Trepça sipas këtij ligji do të organizohet si shoqëri aksionare, ku aksionar kryesore do të jetë qeveria me 80 për qind të aksioneve”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Organizimi i tillë sipas ligjit, sipas Mustafës, do të nxisë një frymë konkurruese dhe kjo është një zgjidhje ka arritur rezultate edhe në vendet tjera.
“Trepça do të jetë një korporatë unike, por njësitë biznesore do të jenë pavarësinë e tyre. Projektligji siguron një kujdes ligjor dhe sipas praktikave ndërkombëtare për mjedisin. Pretendimet e kreditorëve do të trajtohen nga AKP, dhe Dhoma e veçantë e Gjykatës Supreme”, ka thënë ndër tjerash Mustafa.
Në fund, Mustafa ka thënë se në hartimin e këtij projektligji janë konsultuar edhe përfaqësues të Trepçës, AKP-së, ekspertë të pavarur dhe të tjerë, si dhe ekspertë ndërkombëtarë
Muhamet Mustafa: Kosova, pronarja e vetme e Trepçës
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka deklaruar se Komisioni ka mirëpritur tekstin e projektligjit dhe ka vlerësuar se ky ligj është i një rëndësie të veçantë
Ai ka thënë se Kosova është pronarja e vetme e Trepçës.
“Ky ligj hap perspektiven zhvillimore. I ka dhënë zgjidhje optimale për interesin e punëtorëve dhe investitorëve duke e bërë Trepçën kompani atraktive për investitorët. Ky ligj është fryt i një pune shumë studioze”, tha Mustafa.