Mustafa: Kur Qeveria e quan Kosovën “projekt të përkohshëm”, s’është çudi që kështu na trajton edhe BE-ja

Prishtinë | 22 Kor 2024 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa tha se “nuk është për t’u çuditur” që Bashkimi Europian ua hoqi vizat serbëve të Kosovës që posedojnë pasporta të lëshuara nga Serbia.

Mustafa përmendi se “ministrat e Qeverisë nuk e njohin shtetësinë e Kosovës duke e quajtur projekt i përkohshëm”.

“Kur Qeveria e Kosovës vullnetarisht shkëputë çdo bashkërendim, çdo lidhje dhe çdo përkrahje të secilit aleat, të secilit garantues të pavarësisë dhe vet shtetësisë së Kosovës; kur Qeveria e Kosovës vetizolohet ndaj përkrahjes së aleatëve jetik; kur ministrat e Qeverisë nuk e njohin shtetësinë e Kosovës duke e quajtur “projekt i përkohshëm”… nuk është për t’u çuditur kur edhe të tjerët fillojnë ta trajtojnë Kosovën si të tillë”, shkroi Mustafa në Facebook.

Ai tha se vendimi i BE-së është për keqardhje, por jo i papritur.

“Është për keqardhje vendimi i BE-së për të legjitimuar pasaportat ilegale të lëshuara nga e ashtuquajtura “drejtori koordinuese e Serbisë”. Për keqardhje, por jo e papartishme. BE thjeshtë ka vepruar sipas marrëveshjes së Ohrit Kurti-Vuçic të vitit 2023 që ju ofron komunave serbe vet-menaxhim të plotë përmes autonomisë së plotë territoriale, administrative, buxhetore, diplomatike, arsimore, kulturore…”, shkroi ai.

Të ngjashme