Mustafa: LDK mbështet vazhdimin e mandatit të EULEX-it, kështu thellojmë bashkëpunimin me BE-në

Prishtine | 17 Qer 2016 | 12:23 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili foli në emër të Qeverisë së Kosovës, tha se shpreh qëndrim pro vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë.

“Si qeveri kemi nisur me kohë që të përgatitemi për vazhdimin e mandatit të këtij misioni, në shtator të vitit të kaluar kemi përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme mirëpo kishte prolongim në këtë cështje. Kemi inkuadruar të gjitha palët e interesit në këtë proces, duke filluar nga presidentja, kryeministri, ministra, kryetar të gjykatave dhe vendimi ynë i përbashkët ka qenë që të vazhdohet mandati i EULEX-it”, ka thënë Mustafa, raporton Indeksonline.

Sipas tij, EULEX-i duhet të vazhdoj të qëndroj në Kosovë në mënyrë që të thellohet bashkëpunimi për të forcuar shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe që qytetarët të ndjehen të sigurt.

“Në emër të Qeveri ftoj të votohet pro këtij misioni. Po ashtu edhe si kryetar i LDK-së ftoj të votohet pro sepse kështu do të ndihmojmë drejtësinë në Kosovë”, theksoi Mustafa. /Indeksonline/

……………………………………………….

Veseli: Të vazhdohet mandati i EULEX-it, PDK do të votoj pro këtij misioni (Drejtpërdrejt)

(I plotësuar)– Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë gjatë fjalimit të tij para deputetëve se ky është moment shumë i rëndësishëm, sepse sipas tij, nëse kthehemi në rrugën e lirisë, do të ishte ëndërr që Kosova të ketë mundësi që perspektivën e saj të ketë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, qëndrimi politik i PDK-së është që të vazhdohet mandati i EULEX-it. Ai theksoi se ky është qëndrim dhe opsion edhe i qytetarëve drejt rrugës evropiane, raporton Indeksonline.

“Dëshiroj të flas rreth të ardhmes së EULEX-it. Sa po e ndihmon ky mision integrimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së, sepse kemi bërë progres në procesin e liberalizimit dhe besoj se në fund të vitit qytetarët do të lëvizin lirshëm kudo në Evropë. Mirëpo kemi edhe ngecje, në fushën e ligjit. Duhet të vazhdohet mandati i këtij misioni sepse do të ndihmonte në këtë fushë”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se dëshiron që ky mesazh i politikanëve kosovar dhe  vendimi që do të merret sot në Kuvend, të jetë pro bashkëpunimit dhe partneritetit evropian, duke shprehur bindjen për rezultate më të mëdha në fushën e sundimit të ligjit.

“Nuk duhet të ndahemi mes  vete për këtë vendim, por çdo dështim që ndodh në drejtësi do ta marrin kosovarët të gjithë së bashku. Drejtësia, gjyqtarët e prokurorët tanë kanë aftësi dhe mundësi. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë”, ka theksuar kryetari Veseli. /Indeksonline/

……………………………………………………….

Seanca ku vendoset për EULEX-in (Drejtpërdrejt)

Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës, ku përveç tjerash pritet të shqyrtohen edhe dy projektligje që kanë të bëjnë me vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë.

Në këtë seancë, fillimisht pritet të votohet raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2015, raporti i Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2015, si dhe raporti i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2015.

Pa votimit të këtyre raporteve, deputetët do të shqyrtojnë dhe votojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, si dhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme