Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale ndaj Thaçit e Veselit, ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se për krime duhet drejtuar nga Serbia, raporton Ekonomia Online.
Këto komente Mustafa i ka bërë para gazetarëve pak orë pasi Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veselit.
“Për neve akoma informata nuk është e qartë sepse nuk ka dalë prej burimeve apo deklaratave të zyrtarëve të Gjykatës Speciale dhe nuk duam ta komentojmë. Ajo që mund të them është se për LDK-në, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, luftëtarët e saj luftuan për të mbrojtur qytetarët dhe Kosovën, kundrejt gjenocidit të organizuar dhe terrorit të Serbisë. Çdo gjë që ka të bëjë me cilësimin e terrorit, krimit duhet të drejtohet kah Serbia. Ne përkrahim plotësisht Gjykatën Speciale që të punojë e pavarur, por duhet ta cilësojmë ashtu siç e ndjejmë luftën e UÇK-së”, ka deklaruar Mustafa.
Ndërkaq për takimin e kryeministrit Avdullah Hoti me Serbinë në Washington, Mustafa tha se është në dorën e tij nëse do të shkojë pa praninë e presidentit Hashim Thaçi.
“Kryeministri do të vlerësojë vetë. Kemi situatë të re, dhe vlerësimin duhet ta bëjë vetë në konsultim edhe në raport me partnerët. Ka nesër takim me përfaqësues të BE-së e Komisionit Evropian. Për Washington nuk e di sepse kemi rrethana krejtësisht të reja”, ka thënë Mustafa.
Gjatë ditës së sotme, presidenti Hashim Thaçi njoftoi se ka anuluar vizitën në Washington, ndërsa i dërguar i posaçëm i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, kishte thënë se takimi do të mbahet me praninë e Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.