Mustafa: Mos na lodhni duke na treguar si ua dha Rugova besimin

Prishtinë | 21 Kor 2017 | 18:26 | Nga

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Isa Mustafa, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se partitë tjera s’kanë pse i lodhin deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës duke u treguar se si dikur ua kishte dhënë besimin presidenti Ibrahim Rugova, pasi këtë besim më nga LDK-ja nuk do ta kenë.

Reagimi i kreut të LDK-së vjen pas vizitës që Haradinaj ia bëri deputetes Teuta Rugova në shtëpinë e saj.

E pavarësisht këtij qëndrimi të Mustafës, ishte Teuta Rugova ajo që u bëri thirrje të gjitha strukturave të LDK-së që të mos injorohet fakti se Haradinaj ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Ibrahim Rugovën. Zëdhënësi i Haradinajt, konfirmoi se Teuta do ta votojë Haradinajn.

Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Ata që e sulmuan me të gjitha mjetet dhe metodat e dhunës Kryeministrin dhe Qeverinë e drejtuar nga LDK, sot thirren në Ibrahim Rugovën dhe kërkojnë nga LDK dhe deputetët e LDK-së t’ua japin votën për Qeverinë e koalicionit të drejtuar nga PDK.

Me çfarë të drejte? Morale? Politike? Etike? AAK, Nisma, VV, Lista Serbe, komunitetet tjera, të gjithë u bashkuat për t’i shpallur mosbesim një qeverie të drejtuar nga LDK-ja që shënoi rritje ekonomike, stabilizoi buxhetin, rriti pensionet, e pakorruptuar me orientim të qartë evropian.

Ne nuk jemi përgjegjës që gabuat në llogari. Prandaj, mos na lodhni duke na treguar sesi ua dha Rugova mandatin. Sot nuk do t’ua japim as mandatin e as besimin. Asnjë nga LDK, që respekton LDK-në dhe që i rri besnik kësaj partie nuk do t’ia jap votat koalicionit të drejtuar nga PDK e as Ramush Haradinajt me PDK-në.

LDK nuk do të diskutoj me askënd për qeverisjen PAN. Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre. IM

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme