Kryeministri Isa Mustafa, njëherit kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës po merr pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane (EPP), që zhvillohet sot e nesër në Maltë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mustafa ka shkruar se pret ndihmë në rrugën evropiane të kosovës.
“Kongresi i Maltës, i cili do të fokusohet në politikat e jashtme, të sigurisë, në zhvillimin ekonomik dhe realitetin digjital, pritet të konkludoj me dokumente konkrete për të ardhmen e Evropës”.
“Gjatë punimeve të Kongresit, që po zhvillohet në një periudhë shumë të rëndësishme për Evropën, delegacioni i LDK-së do të ketë mundësi të takohet me liderë shtetesh, drejtues të mekanizmave të BE-së si dhe drejtuesit e partive kryesore evropiane të qendrës së djathtë”.
“Familja e madhe evropiane e partive të qendrës së djathtë, ku LDK-ja e përfaqëson Kosovën në mënyrën më dinjitoze, do të vazhdojë të ketë rol qendror në politikat e BE-së, duke ofruar përkrahje të mëtejme për rrugën evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.