Në emisionin “Rubikon”, një grup panelistësh debatuan për kodin e telefonisë +383, i cili i është ndarë përkohësisht Kosovës, pas nënshkrimit të marrëveshjes politike mes Prishtinës dhe Beogradit, marrëveshje e cila thuhet se autorizon shtetin e Austrisë të bëjë kërkesë për ndarjen e kodit të telefonisë.
Njëri prej panelistëve në studio, Drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, tha se zhurma që po bëhet për kodin telefonik është krejtësisht e kotë.
Mustafa në emisionin Rubikon, duke bërë krahasim mes kodit telefonik + 383, kod që iu nda Kosovës pas kërkesës së Austrisë, me dakordimin e saj normalisht dhe nënshkrimit të marrëveshjes politike mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe kodit të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës, i cili operon gjithashtu përkohësisht me kodin e shtetit të Islandës, tha se e gjithë zhurma që po bëhet kundër marrjes së kodit, është thjeshtë një meskinitet i atyre që po kundërshtojnë, pasi të njëjtit nuk kanë nxjerrë nga goja as gjysmë fjale për kodin e huaj që përdorë aeroporti.
“Marrja e prefiksit ndërkombëtarë +383 është një prej ngjarjeve më të mëdha që i ka ndodhë vendit viteve të fundit. Ky kod e shkëputë Kosovën prej Serbisë apo e nxjerr Kosovën jashtë zonës së prefiksit +381. Politikisht, sipas mendimit tim, është gjithçka korrekte sepse ky kod i përkohshëm +383 nuk na identifikon me Serbinë dhe ky shtet nuk është pronarë i këtij prefiksi. Është ITU, mekanizëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ndan prefikset për shtetet që janë anëtare në këtë organizatë. S’ka mënyra të tjera, përveç se me kompromis siç u veprua me rastin tonë”, tha drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Sipas tij, edhe Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës përdorë kod të huaj, të përkohshëm, i cili është huazuar nga shteti i Islandës dhe asnjë person, qoftë nga politika apo shoqëria civile, nuk ka reaguar kur është vendosur që të merret për përdorim kodi i këtij shteti.
“Deri në një moment të caktuar është përdorur kodi i vjetër që nga koha e ish-Jugosllavisë. Prishtina si aeroport identifikohej me akronimet LYPR, dmth kod që përmban edhe regjionin, shtetin.. Pra kod gjeografik. Për efekt sigurie dhe pas shumë bisedimesh, Islanda pranoi të na huazojë kodin e saj. Tani Aeroporti i Prishtinës njihet në botë me kodin BKPR. Nuk ka sgjë negative në këtë përdorim të përkohëshëm, deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në organizata ndërkombëtare e cila më pas do të sjellë kodin e përhershëm dhe eliminimin e problemeve të tilla në çdo sektor”, tha tutje drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Ai ka sqaruar edhe për raportin që do të ketë Telekom Serbia, e cila do të ofrojë telefoninë për enklavat serbe.
“Marrëveshja i kufizon ata që të ofrojnë shërbime vetëm për komunitetin serb. Ne nuk frikësohemi. Aktualisht janë tre operatorë ilegalë serb që operojnë në enklavat serbe. Tani do të kemi vetëm një, i cili do të regjistrohet dhe të ofrojë shërbime në pajtim me ligjet e Kosovës. Është një fitore e jona fakti që Telekom Serbia po detyrohet të njohë praktikisht shtetin e Kosovës’, th në mes tjerash Drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Si hap pozitiv për Kosovën marrjen e kodit ndërkombëtarë +383 nga ana e Kosovës, e kanë vlerësuar edhe ish drejtori i parë i Telekomit të Kosovës dhe eksperti i telekomunikacionit Agron Dida dhe Anton Berisha, ish-shefi i Autoritetit Rregullativ të Telefonisë.