Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, se po keqpërdor pasuritë dhe asetet shtetërore për të bërë fushatë zgjedhore.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se Veseli nuk ka asnjë funksion shtetëror dhe për këtë arsye ai kërkoi të ndalen këto veprime, raporton Ekonomia Online.
Mustafa ka drejtuar akuza në drejtim të Kadri Veselit, ku sipas tij, ai po keqpërdor asetet e institucioneve për të bërë fushatë.
“Kryetari i PDK-së tani më nuk ka asnjë funksion shtetëror, është thjesht një mirëmbajtës deri në përbërjen e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit. E kemi parë në ditët e fundit, edhe pas shpërndarjes të Kuvendit të Kosovës, kryetarin e PDK-së i cili shfrytëzon pasuritë shtetërore për të bërë fushatë personale dhe për partinë e tij. Raste specifike kemi QKUK-në, e cila shfrytëzohet nga kryetari i PDK-së për të bërë fushatë elektorale. Pastaj, kemi rastin e Administratën Tatimore, me Doganën, me Akademinë e Sigurisë Publike. Këto janë shkelje të rënda nga kryetari i PDK-së”, ka thënë Mustafa.
Një kërkesë të tillë zëdhënësi i LDK-së e ka drejtuar edhe tek partitë e tjera të ish-koalicioni PAN.