Qeveria e Kosovës planifikon të shpenzojë rreth 50 milionë euro për veteranët e luftës, në bazë të kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka thënë kryeministri Isa Mustafa për Reutersin, të enjten.
Kosova ka marrëveshje dyvjeçare me FMN-në në vlerë të 184 milionë eurosh. Nga kjo pjesë deri tani janë tërhequr 71 milionë euro. Por FMN ka kritikuar rritjen e shpenzimeve publike duke përfshirë edhe pakon për veteranët e luftës.
“Numri i veteranëve të luftës është rritur përtej asaj që kishim planifikuar dhe FMN ka vlerësuar se kjo do të destabilizojë buxhetin nëse nuk i kontrollojmë mirë këto shpenzime dhe ata besojnë se shuma prej 50 milionë eurosh nuk bën të kalohet”, ka thënë Mustafa për Reutersin gjatë një konference në Londër.
“Kemi biseduar me veteranët dhe jemi marrë vesh që të bëjmë disa ndryshime në ligjin për veteranët e luftës dhe për të funksionalizuar këto norma”, ka shtuar numri një i qeverisë.
Mustafa po ashtu në këtë intervistë për Reutersin ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
“Në situatën aktuale politike, zgjedhjet nuk do të zgjidhnin gjithçka, sepse forcat politike janë ashtu siç janë – vetëm do të përsërisnim të njëjtën gjë”, ka shtuar Mustafa. “Besojmë se mandati duhet të kompletohet”.