Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, i shoqëruar nga Blerim Olluri, kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po marrin pjesë në mbledhjen e 69-të të Akademisë Amerikane të Shkencave Forenzike, e cila po mbahet në New Orleans.
Në këtë ngjarje të përmasave globale, Republika e Kosovës është renditur përkrah shteteve më të fuqishme botërore.
Gjatë qëndrimit në ShBA, delegacioni kosovar zhvilloi takime të shumta, ku duhet veçuar takimin me Betty Layne, kryetare e porsazgjedhur e Akademisë Amerikane të Shkencave të Forenzikes.
Gjatë këtij takimi, zëvendësministri Mustafa e njoftoi Laynen me të arriturat e Republikës së Kosovës në fushën e forenzikës dhe vendosmërinë që investimet materiale dhe profesionale do tëvazhdohen edhe në të ardhmen.
Ndërsa kryetarja e Akademisë Amerikane të Shkencave të Forenzikes, Betty Layne vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës në fushën e forenzikës dhe ofroi gatishmërinë e saj dhe të akademisë për të ofruar përkrahje profesionale dhe shkencore.
Ftesës së zëvendësministrit Mustafa për ta vizituar Republikën e Kosovës, Layne iu përgjigj pozitivisht, duke premtuar që kjo do të ndodhe në kohën më optimale.
Akademia Amerikane e Shkencave të Forenzikës është akademia më prestigjioze e zhvillimit të shkencave forenzike në botë. Nga viti 2008, Xhemajli Ademaj, Drejtor i Departamentit për Traseologji Forenzike në AKF, është anëtarë i rregullt i kësaj akademie, me thirrjen më të lartë Fellow.