Mustafa: Po punojmë që t’i kalojmë çështjet që lidhen me vizat

Prishtinë | 25 Nën 2016 | 13:53 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit të parë të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, në një konferencë për media ka thënë se kanë diskutuar një numër të rëndësishëm të çështjeve të cilat janë të interesit të përbashkët.

Ai ka theksuar se janë të interesuar “që të thellojnë edhe më tutje rrugën tonë evropiane, të punojmë në implementimin e të gjitha çështjeve të cilat ne i kemi paraparë me kontratën e parë me Bashkimin Evropian në të gjitha fushat edhe në fushën politike, në fushën ekonomike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të implementimit të MSA-së”.

“Ajo çfarë sot e ka karakterizuar këtë ditë për çfarë tha edhe përfaqësuesja e lartë Mogherini, është nënshkrimi i marrëveshjes, për qasjen tonë në programe dhe projekte të reja të Bashkimit Evropian që është i rëndësisë elementare për ne, sepse kemi një popullatë të re e cila ka interes të veçantë të ketë qasje në këto programe dhe unë e përshëndes angazhimin dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për Kosovën në tërësi”, tha ai.

“Unë shpreh edhe njëherë këtu para jush vullnetin e qytetarëve tanë që ne të ndjekim dhe të thellojmë rrugën evropiane dhe se perspektiva jonë është vetëm perspektivë evropiane, mirëpo natyrisht duke respektuar të gjitha proceset dhe të gjitha procedurat që ne të bëhemi pjesë e kësaj familje dhe të marrim përgjegjësi brenda kësaj familje”, theksoi Mustafa.

Ai ka theksuar se janë të interesuar t’i kontribuojmë paqes dhe stabilitetit në rajon, ku edhe po punojnë në këtë fushë, duke u shprehur i bindur se kanë arritur rezultate të rëndësishme.

“Jemi të interesuar që përmes dialogut politik me fqinjët t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura. Këtë dialog do ta vazhdojmë edhe më tutje me Serbinë. Do të punojmë në temat dhe do të angazhohemi për implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe presim përkushtim të dyanshëm në implementimin e këtyre marrëveshjeve”, ka thënë Mustafa.

“Me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim ne kemi një kornizë të qartë për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe besojmë fortë se Kosova e ka vizionin, e ka përkushtimin, e ka dijen për t’i përmbushur të gjitha kriteret qoftë në aspektin politik, ekonomik, legjislativ dhe që ne ta përmbushim ambicien e qytetarëve tanë që ata së shpejti të jenë pjesë e kësaj familje dhe të marrin përgjegjësi në këtë familje”, tha Mustafa.

Ai tha se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ofron mundësi të rëndësishme për qytetarët tanë dhe po ashtu shpreson që së shpejti do të kapërcejnë edhe çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe se “qytetarët tanë do të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian ashtu siç kanë lëvizje edhe qytetarët tjerë”.

“Kemi nevojë që të rinjtë ta realizojnë këtë të drejtë, që bizneset tona ta realizojnë këtë të drejtë si komponentë edhe e implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe po ashtu që të përfitojmë nga kjo e drejtë në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin social dhe në zhvillim demokratik të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ky është takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.

mustafa-mogherini

Të ngjashme