Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka raportuar në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.
Ministri i MPB-së, Ekrem Mustafa ka folur për objektivat e tij si ministër i Punëve të Brendshme. Ai tha se prioritet do të jetë parandalimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, raporton Ekonomia Online.
“Objektivat e mia si ministër do të jenë parandalimi i korrupsionit, krimit të organizuar, duke përfshirë trafikimin me narkotik, me qeniet njerëzorë, do të luftojmë nepotizmin dhe në krijimin kibernetikë, po ashtu vëmendje do të i japim parandalimit të terrorizmit”, tha Mustafa.
Mustafa përmendi se edhe siguria në trafik, migrimet e paligjshme e shumë dukuri tjera jo të mira do të jenë në kuadër të objektivave primare të MPB-së.
“Lidhja e marrëveshjeve me shtetet fqinjë si ndërpolicore, agjencionet tjera si ai i forenzikës që e kemi me Kroacinë, Italinë dhe në fazën e bisedimeve jemi me Turqinë. Deri në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm do të i shpallim gjitha pozitat që janë më shumë e 6 vjet në një pozitë dhe ka nevojë për lëvizje pozitive në policinë e Kosovës”, tha Mustafa.
Ai ka folur edhe për ligjin për zjarrfikësit.
“Ligji për zjarrfikës, kam marr hapa është në implementim me qenë nën Agjencionin e Urgjencës të MPB-së, ka reflektuar mirë edhe Ministria e Financave që ka paguar orët shtesë 600 mijë euro më fillim të këtij muaji po punojmë në zgjerimin e kapaciteteve”, tha Ministri i MPB-së, Ekrem Mustafa.
Ai është shprehur i kënaqur me punën e policisë.
“Jam i kënaqur me djemtë dhe punëtorët që kanë punuar në kuadër të Policisë, kanë arritur ta fusin Kosovën në agjendën për anëtarësim në Interpol”, tha Mustafa.
Ministri Mustafa në lidhje me rastin e 6 shtetaseve turq tha se MPB-ja nuk i jep lejet e aterimit, leja për aterim merret nga Ministria e Infrastrukturës.