Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj protestës së mbajtur sot kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Një numër i vogël i qytetarëve ka protestuar, ndërsa ka pasur edhe kundërprotestues. Mustafa ka thënë se inkurajon kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të vazhdojë me ofrimin e zgjidhjes më të mirë për ndërtimin e kësaj xhamie.
“Protestat janë pjesë e ekspozimit demokratik. Sikurse, kjo e sotmja kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Protesta tregon edhe kompleksin e inferioritetit tonë që të pajtohemi se jemi këta që jemi, rreth 95 për qind myslimanë. Por, në vend që të turpërohemi, do duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë….
Tendenca që të diktosh besimin dhe objektet fetare, nuk përkon me respektimin tonë të ndërsjellë dhe as me respektimin e vetëvetes. Pse duhet të na pengojë një xhami e madhe, një katedrale, një kishë në Prishtinë. Qytetet më të mëdha ua kanë vënë qytetarë të tyre vendet më të mira për xhami, siç është Londra. Është Tirana. Këtë e kam bërë edhe unë sa isha Kryetar i Prishtinës. E inkurajoj Kryetarin Ahmeti të vazhdojë me ofrimin e zgjidhjes më të mirë për ndërtimin e kësaj xhamie. Të mundohesh që të paraqitesh ai që nuk je, s’është asgjë më pak sesa primitivizëm”, ka shkruar Mustafa në Facebook.