Mustafa: Qeveria do ta ketë në konsideratë industrinë e drurit

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 12:45 | Nga

Kryeministri Isa Mustafa, i ka dhënë mbështetje të plotë industrisë së prodhuesve të drurit, në konventën e parë të kësaj industrie.

Ai i ka siguruar prodhuesit vendorë, që bashkë me ministrat e qeverisë po punojnë për fuqizimin e kësaj industrie, e cila sipas tij, është njëra ndër fushat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Industria e drurit është fushë me identitet në Kosovë. Madje, në këtë lëmi jemi treguar të suksesshëm dhe konkurrent në tregjet rajonale”, tha Mustafa, i cili theksoi nevojën e shtrirjes së kësaj industrie edhe jashtë tregut vendor, në mënyrë që të ulet importi i kësaj lënde.

I pari i Qeverisë deklaroi se konkurrimin e kësaj lënde në tregun e Bashkimit Evropian e ka mundësuar Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

“Ne tani po punojmë me Bashkimin Evropian në reformën evropiane e cila reformë është e drejtuar në tri shtylla kryesore: në atë të rritjes së konkurrencës së produkteve vendore, në shtyllën e forcimit të shtetit ligjor në mënyrë që baza ligjore, korniza ligjore, por edhe zbatimi i kësaj kornize ligjore të jetë e drejtë për bizneset, dhe në fushën e punësimit dhe të cilësisë së arsimit, të cilat së bashku ndihmojnë në zhvillimin e kësaj industrie”.

“Si Qeveri po ashtu kemi punuar mjaft shumë në reformat fiskale, të cilat mendoj se ofrojnë një ambient më të mirë të bërit biznes në Kosovë. Unë nuk konsideroj se ne e kemi përmbyll kornizën e këtyre reformave, konsideroj se kemi bërë disa reforma që në mënyrë iniciale kanë përmirësuar pozitën e bizneseve, por po ashtu mbetemi të hapur para jush që të dëgjojmë të gjitha propozimet, sugjerimet, vërejtjet tuaja, që ndërlidhen edhe me përmirësimin e ambientit të biznesit në këtë fushë por edhe në fusha tjera, sepse ekonomia si e tillë është e lidhur dhe konkurrenca është interaktive”, ka thënë ai.

Mustafa e ka përmendur qasjen e lehtë në financa, si një mundësi për zhvillimin e industrisë së drurit.

Ndërsa, Hashim Deshishku, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Drurit, ka kërkuar nga qeveria, që ta kenë në konsideratë këtë industri, pasi që mundësitë për zhvillimin janë të mëdha. Ai tha se USAID ka mbështetur mjaft sektorin e drurit si industri.

“Ky sektor absorbon një numër të punëtorëve dhe për këtë është e nevojshme që të investohet edhe më tej në këtë industri. Kosova ka potencial të madh të pyjeve dhe kërkoj nga Qeveria lirimin nga TVSh për lëndën e parë që importohet nga vendet e huaja”, ka deklaruar Deshishku.

Deshishku ka deklaruar se vetëm gjatë vitit të fundit, industria e drurit, ka arritur për 20% eksportin e mallrave kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, theksoi nevojën e krijimit të partneritet me kompani të huaja, për krijimin e vendeve të reja të punës.

“USAID është partner me Shoqatën që nga fillimi 2004, përpunuesit e drurit vazhdimisht janë duke rritur teknologjinë më të avancuar dhe moderne. Kjo i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe punësim. Punimet nga druri në Kosovë janë mjaftë cilësore dhe prezente në tregjet e BE-së”, tha Hope.

isa-mustafa1 isa-mustafa2 isa-mustafa3

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme