Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit Isa Mustafa e ka përgëzuar presidentin e posainauguruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, duke i uruar gjithë të mirat dhe suksese.
“Roli i presidentëve amerikanë ka qenë vital për Kosovën dhe qytetarët e saj, gjatë tri dekadave të fundit”, ka shkruar Mustafa.
“Presidenti George H. W. Bush, në vitet ’90, i vuri Vijën e Kuqe regjimit kriminal të Millosheviqit për Kosovën. Gjatë presidencës së Presidentit Bill Clinton, Kosova u çlirua. Presidenti George W. Bush dha kontribut esencial për pavarësimin e Kosovës. Administrata e Presidentit Obama, nën kujdesin e veçantë të zëvendëspresidentit Biden, e kishte në vëmendje të politikës së jashtme Kosovën…”
“Jam plotësisht i bindur se Presidenti Trump me lidershipin e tij, do përkrahë Kosovën në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe rrumbullakimin e të gjitha elementeve të shtetësisë”, ka theksuar kryeministrit i Kosovës.
Qeveria dhe populli i Kosovës, sipas Mustafës, janë jetësisht të përkushtuar për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e bartur me krenari epitetin e “popullit më proamerikan në glob”.
“Congratulations Mr. President Donald J. Trump!”, përfundon urimi i Mustafës.