Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se rrugën e Ibrahim Rugovës s’mund ta trashëgoj askush përveç atyre që qëndrojnë në LDK, raporton Ekonomia Online.
Mustafa pas bërjes së homazheve së bashku me kryesinë e LDK-së tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 15 vjetorin e vdekjes, tha se LDK-ja dhe Kosova e ndiejnë mungesën e Ibrahim Rugovës.
“Jemi këtu që t’i bëjmë nderimet presidentin historik Ibrahim Rugova. Edhe LDK sikurse Kosova, por edhe shqiptarët në tërësi e ndjejnë mungesën e një figure historike që dha një kontribut të veçantë dhe të pariparueshëm për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”.
“Këtu jam po ashtu për të shprehur qëndrimin dhe përkushtimin e LDK-së që ne ta ndjekim rrugën që na ka trasuar dhe na ka lënë trashëgimi Rugova. Këtë rrugë s’mund ta trashëgojë askush përpos LDK-së dhe atyre që veprojnë dhe punojnë që vepra, ideja dhe kontributi i Rugovës të bëhet vepër e përhershme në Kosovë dhe jashtë saj”, tha Mustafa.