Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e renovimit të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
Kryeministri Mustafa së bashku me ministrin e Shëndetësisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi bënë prerjen e shiritit vizituan repartet e Spitalit ku panë nga afër kushtet në të cilat do të trajtohen pacientët nga Vushtrria dhe më gjerë.
Mustafa, ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për përkrahjen, sidomos në sektorin e shëndetësisë.
“Ne kemi kthyer tani vëmendjen tonë në shëndetësinë e qytetarëve tonë, e kemi bërë këtë prioritet të Qeverisë, veçanërisht investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe po mundohemi të bëjmë reforma të caktuara, në mënyrë që shëndetësinë ta zhvillojmë ashtu siç e meriton. Është ky një investim prej 7 milionë eurove, për çka jemi falënderues Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Është një hap i rëndësishëm në përgatitjen gjithëpërfshirëse të infrastrukturës shëndetësore, për të mundësuar reforma të rëndësishme dhe të suksesshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se në këtë rrugëtim Spitali “Sheikh Zayed” me gjashtë departamentet e tij dhe pajisjet moderne do të jetë padyshim një pikë referuese për rreth 400 mijë banorë të Vushtrrisë dhe rrethinës.
“Si një ndër projektet më madhore të shëndetësisë pas luftës, ky spital paraqet dorën e fundit të pajisjeve dhe të infrastrukturës moderne, do t’iu shërbejë profesionistëve tanë shëndetësorë, në mënyrë që ata të ofrojnë shërbime cilësore për çdo njeri në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa, duke falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën e dhënë për banorët e Vushtrrisë dhe më gjerë.
Ndërkaq, ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal të Zi, Hafsa Abdulla Mohamed Sharif Al Ulama, me këtë rast tha ka shprehur urimet e udhëheqjes dhe popullit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Ky spital, i cili është një simbol i miqësisë mes dy vendeve tona, është i pajisur me pajisje të fundit mjekësore dhe ekipin më kompetent dhe të përkushtuar në forcimin e sektorit të kujdesit shëndetësor dhe për t’i shërbyer popullit të Kosovës”, tha ambasadorja Hafsa Abdulla Mohamed Sharif Al Ulama, duke shtuar se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë gjithmonë një mbështetës i fortë i të gjitha aktiviteteve humanitare në Kosovë, duke siguruar po ashtu, se Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbeten një mik shumë i mirë i Kosovës.