Mustafa takon Metën: Ndryshimi i kufijve është i papranueshëm dhe i rrezikshëm

Prishtinë | 20 Sht 2018 | 19:11 | Nga

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pritur sot në një takim Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Mustafa dhe Meta kanë folur për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe çështjen e kufirit me Serbinë, përcjell Klan Kosova.

“Sot kisha kënaqësinë të pres në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Presidentit Meta i prezantova pikëpamjet e LDK-së se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë forma e vetme e normalizimit të raporteve, por se dialogu duhet të vazhdoj me institucione që kanë legjitimitet të konfirmuar nga zgjedhjet e parakohshme dhe të lira”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Po ashtu, i rikonfimova Presidentit Meta pozicionin e paluhatshëm të LDK-së se hapja e temës së ndryshimit të kufijve është e papranueshme dhe e rrezikshme, sepse kjo e rihapë temën e mbyllur me deklarimin e Pavarësisë dhe se diskutimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.

“Në këtë takim, po ashtu, shpreha falënderimin tim për Presidentin Meta për interesimin e tij të vazhdueshëm në procesin e rehabilitimit tim shëndetësor”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme