Mustafa thotë se Kusari-Lila bisedoi me një terrorist të konfirmuar: Prokuroria ta hetojë këtë rast me urgjencë

Prishtinë | 03 Qer 2024 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së Besian Mustafa është shprehur i habitur për siç e ka quajtur “koordinimin e shefes së deputetëve të Vetëvendosjes me një figurë famëkeqe kriminale si Radojçiq”.

“Kjo bisedë klandestine mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Është e habitshme të shohësh shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, një parti që ka gojën plot “patriotizëm”, “transparencë” e “integritet”, të koordinohet afërsisht me një figurë famëkeqe kriminale që ka cenuar interesat, integritetin dhe sovranitetin e Republikës sonë. Ky rast hedh poshtë parimet e tyre të deklaruara deri më tani, duke qitur në pah se pas dyerve të mbyllura, Vetëvendosje janë të gatshëm të komprometojnë vlerat e tyre dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike dhe kushedi çfarë interesa tjerë”, thuhet në reagimin e deputetit Mustafa.

I njëjti ka ftuar prokurorinë që ta hetojë këtë rast.

“Ftojmë prokurorinë e shtetit të hetojë këtë rast me urgjencën dhe prioritetin më të lartë, pasi që interesat tona kombëtarë janë shtruar tani më me një terrorist të konfirmuar”, është shprehur Mustafa.

Të ngjashme