Po bëhen gati tre javë prejse ish deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa u tërhoq prej politikës.
Pavarësisht se figuronte në listën e partisë prej nga vinte si kandidat për deputet, Mustafa vendosi të “leçitet’’ nga politik. Numri i votave nuk duket të jetë arsye, bazuar në deklarimet e tij.
Ish-deputeti thotë se vendimin e ka marrë pa marrë parasysh epilogun përfundimtar pas numërimit të votave. Por, Mustafa nuk duket se do ta tradhtojë partinë e tij asnjëherë. Ai nuk e ka në plan të aderojë në tjetër subjekt politik.
Kështu ka thënë për Indeksonline ish deputeti i LDK-së.
‘’Nuk kam synim që të bëhem anëtar i ndonjë partie politike. Natyrisht se do të jemi të gatshëm që në Riinvest të bashkëpunoj me Qeveritë me rekomandime e këshilla në çështjet që i shoh të rëndësishme në dobi të vendit’’, ka sqaruar ai.
Mustafa përsërit se është tërhequr nga politika pa marrë parasysh rezultatin final.
‘’Në fakt unë jam tërhequr nga politika. Jam tërhequr një ditë pas zgjedhjeve nga puna në institucion qoftë Kuvend ose Qeveri, pa marrë parasysh epilogun përfundimtar pas numërimit të votive. Me politikën, sidomos me politikat ekonomike zhvillimore do të merrem aty ku kam punuar para se të hyja deputet me 2010. Unë dhe gjatë kësaj kohe nuk kam qenë i angazhuar në ndonjë strukturë partiake’’, ka theksuar Mustafa.
Ky vit i zgjedhjeve parlamentare do të mbahet mend për shumë aderime të befasishme të figurave publike, por edhe si një formë ndëshkimi për partitë që humbën bastionet e tyre.