Ministri i Punëve të Brendshme, z.Ekrem Mustafa , me ftesë të Ministrit të Brendshëm Bullgar, z.Mladen Marinov, po merr pjesë në punimet e “Forumit Rajonal të Ministrive të Brendshme për kundërveprim ndaj korrupsionit të brendshëm”, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Qëllimi kryesor i Forumit është zgjerimi i bashkëpunimit operacional në kundërveprim ndaj korrupsionit të brendshëm, si dhe diskutimi i mundësive për mëshumë aktivitete të përbashkëta në nivel rajonal sa i përket këtij bashkëpunimi.Me iniciativën e Bullgarisë, në vitin 2016 u krijua një rrjet për bashkëpunim të zgjeruar rajonal të njësive të sigurisë së brendshme (NERCISU) me pjesëmarrjen e njësive përkatëse të Ministrive të Punëve të Brendshme të disa vendeve ballkanike. Rrjeti funksionon si një platformë për bashkëpunim aktiv rajonal operacional me linjën 24/7 për koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit dhe inteligjencës.
Me këtë rast ministri Mustafa,në diskutimin e tij ofroi bashkëpunimin e plotë të MPB-së së Republikës së Kosovës dhe të gjitha agjencive nën autoritetin e saj, përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Ministri Mustafa i bëri thirrje kolegëve të tij nga vendet e tjera të rajonit, të lënë mënjanë çfarëdo kundërshtimi që mund të ekzistojë ndërmjet si rezultat i qëndrimeve politike dhe pikëpamjeve të ndryshme.
“Duke bashkëpunuar në fushën e sigurisë, ne do të jemi më afër njëri tjetrit edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike ende të pranishme në Evropën Juglindore”, theksoi ministri Mustafa.
Ai mori shembull marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë, si një frymëzim për bashkëpunim e mundshëm kudo.