Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar përvjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.
Mustafa thotë se shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990 është një prej akteve më të rëndësishme juridike, politike e historike në udhën e Kosovës drejt Pavarësisë.
“Pa protagonizëm e garë politike, Delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, përkundër kërcënimeve të drejtpërdrejta të pushtuesit serb, shpallën Deklaratën Kushtetuese duke e vënë një gur të madh në ndërtimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
“Ky hap riafirmoi vizionin dhe vendosmërinë e pathyeshme të popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, të cilat u realizuan falë lidershipit brilant të Presidentit Historik, Ibrahim Rugova dhe luftës çlirimtare të nisur nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari”, theksoi kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
“Urime 2 Korriku”, përfundoi ai.