Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër, raporton Ekonomia Online.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i kësaj partie, Isa Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë, duke lavdëruar punën e Hotit.
“Vlerësimet tona janë se Qeveria s’ka ra si pasojë e mospunës. Gjithë kjo ka ndodhë, jashtë fajit të Qeverisë. Z. Hoti ka punuar drejt, ka treguar drejt, se edhe vet edhe Qeveria zbaton Ligje”.
“Kjo na ka shty që edhe të jetë kandidat i yni për kryeministër”.
“Nuk do bëjmë koalicion me asnjë parti”.
Mustafa poashtu tha që LDK-ja duhet t’i heq vijat e kuqe me të gjitha subjektet politike, raporton EO.
“Jam i bindur me suksesin tonë jemi në një situatë me specifike për shkak të fushatës, por do bëjmë maksimumin për të komunikuar me qytetarë”.
Mustafa është pyetur edhe për largimet e zyrtarëve nga degët dhe nëndegët e LDK-së që po i bashkohen listës së Vjosa Osmanit, ndërsa ka thënë se nuk i minimizon largimet.
“Nuk e minimizoj. Nuk e shpalli të pavlefshëm asnjë largim, pasi që çdo njeri që deri dje ka qenë në LDK, ka qenë me LDK-në dhe i ka kontribouar LDK-së. Në qoftë se ata njerëz mendojnë që nuk kanë më asgjë që t’i japin LDK-së dhe dëshirojnë që të provojnë t’u japin subjekteve tjera, është në të drejtën e tyre që ata të vendosin që të largohen dhe t’i bashkëngjiten listës së zonjës Vjosa Osmani”,.
Ai tha se largimet e tyre nuk paraqesin humbje për LDK-në.
“Në krahasim me atë që e kam dëgjuar përpara nga deklarimet e zonjës Osmani, se aty do të ketë njerëz profesionistë dhe njerëz që kanë çka t’i japin këtij vendi, nga këto largime shumë të pakta të disa degëve tona nuk kam parë personalitete që mund t’i japin ndonjë vlerë të re listës së Vjosës e as që mund t’i japin Kosovës. Si të tillë nuk janë çmuar dhe nuk janë vlerësuar brenda LDK-së dhe si të tillë nuk paraqesin humbje për LDK-në”.
Qeveria e Kosovës u rrëzua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë shpall të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kësaj qeverie, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.
Kushtetuesja ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.