Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka ftuar qytetarët e kësaj ane që të bashkohen procesit të regjistrimit të popullsisë, proces ky i nisur më 1 tetor dhe do të përfundojë në fund të muajit, raporton Ekonomia Online.
Këtë deklarim ai i bëri pas takimit me presidentes, Vjosa Osmani, e cila i takoi liderët institucional dhe përfaqësues politik nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.
Mustafi tha se ky proces është tejet i rëndësishëm për shqiptarët në Luginë, teksa shpalosi disa mangësi në Medvegjë.
“Ky ishte takimi i parë që presidentja Osmani na kishte ftuar në këtë format, ku ishin prezentë të gjithë udhëheqësit politikë të Luginë së Preshevës, të cilët diskutuam bashkërisht për çështjet aktuale në të cilën gjendet Lugina, me theks të veçantë sa i përket regjistrimit të popullsisë në Luginë të Preshevës. Ajo që është e vërteta, që në Preshevë dhe Bujanoc regjistrimi i popullsisë është duke shkuar sipas ritmeve dhe dinamikeve së vet, përderisa ka disa mangësi në Medvegjë”, tha ai, teksa ftoi të gjithë shqiptarët e asaj ane që të regjistrohen, duke thënë se ky regjistrim mund ta nxjerrë numrin e saktë të shqiptarëve që jetojnë në Luginë.
Mustafi ka folur edhe për numrin e regjistruesve në Luginë, duke thënë se vetëm tre shqiptarë janë në Medvegjë, duke punuar në këtë drejtim.
“Është pak më komplekse sesa mendoni çështjen e regjistrimit në Medvegjë dhe madje në Luginë të Preshevës. Ne kemi afro 90 regjistrues në Bujanoc, 78 në Preshevë e në Medvegjë kemi 21 regjistrues. Prej tyre, 3 janë shqiptarë, problemi është që janë vendos në vendbanime të serbëve dhe nuk ishin vendosur aty ku ka shqiptarë, dhe madje kemi arrit që të kenë edhe asistentë sa i përket këtij procesi. Ka probleme edhe të karakterit softuerik i cili është i kompleksuar, por ajo që na bën besimplotë për të vazhduar më tutje në këtë proces, është që ky proces monitorohet nga Eurostatit e është i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, e madje ne kemi adresuar të gjitha këto çështje edhe ambasadës së BE-së dhe OSBE-së”, u shpreh Mustafi.
Përfaqësuesi politikë i shqiptarëve, ka thënë se mbi 5 mijë qytetarë janë regjistruar në Medvegjë, mbi 50 mijë në Preshevë, ndërsa në Bujanoc janë regjistruar deri më tani afër 48 mijë qytetarë, raporton EO.
“Në Medvegjë janë regjistruar 5708 qytetarë, prej tyre sa janë shqiptarë është problem të dihet për shkak se një numër i konsiderueshëm i vendbanimeve është i përzier shqiptarë e serb, përderisa në Preshevë janë regjistruar mbi 50 mijë qytetarë dhe në Bujanoc janë afro 48 mijë. Jam shumë besimplotë se numri i shqiptarëve nuk është 5 809 shqiptarë sa kanë qenë në regjistrat e Serbisë, dhe kjo po e dëshmon se qasja e Serbisë ka qenë në kundërshtim me normat civilizuese e të drejtës ndërkombëtare, e që shqiptarët e Luginës do të kërkojnë më shumë shërbime për të realizuar të drejtën e tyre të cilat i takojnë, jo vetëm me konventat ndërkombëtare por edhe me ligjet pozitive të cilat janë në Serbi”, tha në fund Mustafi.
LEXONI EDHE: