Muzetë e artit në New York hapin sërish dyert

Prishtinë | 29 Gus 2020 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Pas mbylljes më 13 mars gjatë pandemisë së koronavirusit, Metropolitan Museum of Art (Met) po e mendonte rihapjen qysh në fillim të korrikut. “Asokohe kjo iu duk shumë njerëzve si një parashikim goxha pesimist”, ka shpjeguar Max Hollein, drejtor i muzeut të famshëm. “Tash, me siguri, ne e kuptojmë që kjo ka qenë tejet optimiste”.

Në të vërtetë, New Yorku ka qenë një prej pikave më të mëdha të COVID-19 në botë. Më shumë se 32 mijë njerëz të infektuar kanë vdekur në shtet, prej të cilëve 23 mijë veç në qytetin e New Yorkut, transmeton KOHA shkrimin e DW.

Por me rihapjen e Museum of Modern Art (MoMA) më 27 gusht dhe të Metit më 29 gusht, njëfarë normaliteti duket se po zë vend prapë. Megjithatë, asgjë në të vërtetë s’është normale prej pandemisë që ende vazhdon. Kontrolle të sigurisë në hyrje, mbajtje e distancës minimale, një numër i kufizuar vizitorësh, maska të detyrueshme, si dhe rrugë të përcaktuara.

Megjithatë një avantazh, thotë Max Hollein, është se nuk ka “tri objekte” që vizitori duhet t’i shohë patjetër, ndryshe prej Muzeut të Louvreit në Paris. Kjo ndihmon që të shmangen turmat masive nga ndërtesat. Por drejtori i Metit nuk beson që do të ketë një shkulm të madh vizitorësh në të ardhmen e afërt.

Para shpërthimit të virusit, 7.4 milionë njerëz vinin çdo vit në Met. Muzeu i artit në Manhattan është krijuar më 1870 dhe sot është më i madhi në ShBA. Tani Hollein pret tre deri në katër milionë vizitorë në 12 muajt e ardhshëm.

“Një e treta e vizitorëve tanë vinin nga jashtë”, thotë Hollein. “S’mendoj që ne do të shohim një ringjallje turizmi derisa të mos ketë një vaksinë”.

Për këtë arsye, ai dhe ekipi i tij po fokusohen fillimisht tek audienca lokale – ani pse për të në terma afatgjatë është e rëndësishme që vizitorët të vijnë prapë nga e gjithë bota.

“Meti nuk është vetëm një muze për njujorkezët”, thekson 51-vjeçari. “Dhe natyrisht ne do të punojmë fort që të rifitojmë detyrën kryesore të Metit që është një muze i madh enciklopedik për botën dhe për të gjithë njerëzit”.

Por sa do të marrë kohë që gjërat të kthehen në normale? Hollein po shpreson që të jenë dy deri në tre vjet. Por edhe deri atëherë, audienca në Met do të ndihet rehat:

“Që ende të jetë ndjenja që po vizitohet një muze”, thotë ai. “Që të jetë ndjenja jo vetëm për të qenë në këtë ndërtesë, por edhe të jesh në shoqëri, paçka se mbahet distanca me njerëzit e tjerë. Por ende është shtëpi për komunitetin, dhe kjo është mjaft e rëndësishme për ne”.

Met do të duhej të kremtonte këtë vit ditëlindjen e vet të 150-të. Por në vend të kësaj Max Hollein, që ishte caktuar në krye të muzeut në gusht të vitit 2018, ka bërë përpjekje që të mos rrijë duarkryq gjatë pandemisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme