Muzeu ku janë të vendosura libra, lodra e rroba të fëmijëve të vrarë

Prishtinë | 22 Nën 2020 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

E rrethuar nga ndërtesa të larta të arkitekturës komuniste, në bodrumin e një biblioteke në Prishtinë, është ekspozita që tregon për fëmijët e vrarë ose zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Libra, fletore, lodra, rroba dhe fotografi të fëmijëve të cilëve lufta u la fëmijërinë në gjysmë, janë paraqitur me kujdes për vizitorët

Krijimi i këtij memoriali nga FDH është në pajtim me prindërit dhe familjarët që kanë sjellë gjësendet e mbetura.

Sipas Dea Dedi, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit në Kosovë, ekspozita është dashur të hapet edhe në Serbi në qershor të këtij viti, mirëpo për shkak të pandemisë planet kanë ndryshuar.

Sipas saj, planet e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë janë që kjo ekspozitë të shndërrohet në muze të përhershëm.

Pamje e ekspozitës “Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë”

“Ne jemi duke lobuar në mënyrë që institucionet e shtetit ta kthejnë ekspozitën në një muze të përhershëm. Kjo nuk varet prej nesh, por ne po mundohemi t’ia dorëzojmë shtetit dhe shteti ta marrë në mbrojtje,” i tha ajo Radios Evropa e Lirë.

Ekspozita është hapur në mesin e vitit 2019 për të shënuar 20-vjetorin e përfundim të luftës në Kosovë që la të vrarë 13,535 persona, shumica dërmuese prej tyre ishin shqiptarë. Mbi 1,600 persona ende mbesin të zhdukur.

“Ne jemi duke lobuar në mënyrë që institucionet e shtetit ta kthejnë ekspozitën në një muze të përhershëm. Kjo nuk varet prej nesh, por ne po mundohemi t’ia dorëzojmë shtetit dhe shteti ta marrë në mbrojtje,” i tha ajo Radios Evropa e Lirë.

Ekspozita është hapur në mesin e vitit 2019 për të shënuar 20-vjetorin e përfundim të luftës në Kosovë që la të vrarë 13,535 persona, shumica dërmuese prej tyre ishin shqiptarë. Mbi 1,600 persona ende mbesin të zhdukur.

“Ne e kemi parë se edhe pas 20 vjetëve të mbarimit të luftës, kjo kategori – vrasja e fëmijëve – që është shumë e ndjeshme, është përkujtuar pak edhe prej institucioneve edhe nga nismat tjera vetjake. Siç dihet numri i fëmijëve të vrarë përbën rreth 10 për qind të viktimave të përgjithshme gjatë luftës”, shtoi Dedi.

Një vizatim i një fëmije të vrarë gjatë luftës

Ardiana ishte vetëm gjashtëmuajshe kur u strehua në mal për t’i ikur luftës. Ditën e nesërme forcat serbe filluan ta bombardonin malin dhe copat e granatave qëlluan Ardianën.

Fustani i Adrianës, gjashtëmuajshe, e vrarë gjatë luftës

Ajo vdiq nga plagët e marra. Fustanin, Ardiana e kishte dhuratë nga halla.

Kilikerat e Arbërit, shtatë vjeç e gjashtë muaj, i vrarë gjatë luftës

Arbëri kishte vetëm 7 vjet e gjashtë muaj dhe ishte strehuar të familja Bogujevci në Podujevë për t’i ikur luftës. Katër ditë pas fillimit të bombardimit të NATO-s ai dhe familjarë të tjerë u nxorën nga shtëpia dhe u dërguan në oborrin e një shtëpie tjetër. Aty, forcat serbe vranë 14 persona duke përfshirë Arbërin më nënën, vëllanë Albionin dhe me dy motrat e tij, Mimozën dhe Dafinën. Së bashku me ta janë vrarë edhe tre fëmijë të familjes Bogujevci.

Në ditën e vrasjeve Arbëri kishte në xhep këta kilikera, të përdorur shumë në atë kohë nga fëmijët, të cilët i a kishte blerë babai i tij, i cili, disa muaj më pas i gjeti të shpërndarë në oborrin e shtëpisë ku ishin kryer vrasjet.

Këpucët e Redonit, dy vjeç, i vrarë gjatë luftës

Këto këpucë, Redoni, i cili ende nuk kishte mbushur dy vjet, i kishte dhuratë. Dy ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Redoni së bashku me motrat, Herolindën dhe Majlindën, vëllanë Altinin, nënën dhe familjarë të tjerë janë futur me forcë në një lokal picerie në Suharekë. Lokali është sulmuar nga forcat serbe ku mbeten të vrarë 45 persona, së bashku me Redonin, vëllain dhe motrat e tij. Aty u vranë gjithsej 16 fëmijë të familjes Berisha.

Sipas organizatës që merret me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Save the Children, gjatë dekadës së fundit, 25 fëmijë janë vrarë ose plagosur çdo ditë në konflikte të ndryshme.

Një klasë me fëmijë çdo ditë vritet ose plagoset

Foto të fëmijëve duke u ngrohur në një mal pasi kishin ikur nga shtëpitë e tyre

Fëmijët janë vrarë ose lënë të gjymtuar përjetë si pasojë e sulmeve ajrore, granatimeve, minave të vendosura në tokë si dhe mjete tjera plasëse që janë përdorur dhe ende po përdoren në vende të populluara.

Numri më i madh i viktimave është nga Siria, Afganistani, Iraku dhe Somalia.

Sipas raportit të Save the Children, rreth 426 milionë fëmijë jetojnë në zona të konflikteve të armatosura në gjithë botën.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme