Muzgu i sigurisë evropiane

Prishtinë | 06 Mar 2022 | 10:59 | Nga Ditmir Bushati

Viti 2022 do të shoqërohet me dy ngjarje të mëdha diplomatike për komunitetin trans-atlantik. Më mars, Bashkimi Europian do të miratojë Kompasin e tij Strategjik, një dokument që synon të krijojë një pikëpamje të përbashkët mbi sigurinë dhe mbrojtjen e BE-së dhe kështu të shtjellojë disi nocionin e “autonomisë strategjike” të Europës.

Më pas, në Samitin e Madridit në qershor, NATO do të miratojë Konceptin e saj të ri Strategjik, i cili parashtron strategjinë e Aleancës, duke përshkruar qëllimin dhe detyrat e saj themelore të sigurisë dhe duke identifikuar sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet në mjedisin e ndryshueshëm të sigurisë. Të tillë dokumente i shërbejnë edhe një qëllimi politik pasi i sinjalizojnë botës sesi BE-ja dhe NATO-ja e konceptojnë mbrojtjen, arkitekturën e sigurisë Europiane dhe lidhjet trans-atlantike.

Por debati që shoqëron miratimin e dokumenteve, sikundër ngjarjet në tërren në Lindje të Europës janë më të rëndësishme sesa formulimi përfundimtar i këtyre dokumenteve. Janë pikërisht ngjarjet në tërren që pikturojnë një realitet të ri europian që po merr formë dita ditës dhe që testojnë para së gjithash unitetin dhe vendosmërinë e familjes trans-atlantike në përballimin e sfidave të sigurisë.

E shkuara që nuk është më

Fundi i Luftës së Ftohtë i dha NATO-s dhe BE-së një mundësi unike për t’u zgjeruar drejt Lindjes. Kostot për ta bërë këtë ishin minimale, përfitimet e globalizimit ishin të shumta dhe mungesa e një sfiduesi rajonal e bëri atë relativisht të sigurt. Rënia e Murit të Berlinit u shoqërua me bisedime ndërmjet amerikanëve dhe gjermanoperëndimorëve nga njëra anë dhe Bashkimit Sovjetik nga ana tjetër. Këto bisedime synonin të garantonin Gjermaninë e bashkuar brenda juridiksionit të NATO-s, likujdimin e Traktatit të Varshavës dhe mbrojtjen e interesave të sigurisë të ish Bashkimit Sovjetik. Asokohe, Henry Kissinger do ta përshkruante këtë proces të udhëhequr nga Gorbaçhov si “një prej revolucioneve më të rëndësishme të kohës në të cilën jetoi”.

Duke pasur parasysh edhe gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Rusia në mesin e viteve ’90, politika e jashtme e saj ishte disi e kushtëzuar prej veprimeve të Perëndimit. Pikërisht në këtë periudhë, Zbignjew Brzezinski propozoi përfshirjen e shpejtë të shteteve të Europës Qendore dhe Lindore në NATO dhe vendosjen e raporteve të afërta me Ukrainën dhe republikat e tjera joruse të ish Bashkimit Sovjetik.

Mirëpo hapat për zgjerimin e NATO-s drejt Lindjes së Europës nuk u pritën me entuziazëm në Moskë, e cila vijonte ta përjetonte NATO-n si një aleancë politiko-ushtarake kundërshtare, nën prizmin e Luftës së Ftohtë. E megjithatë, Rusia ishte e interesuar asokohë për një marrëdhënie speciale me NATO-n. Ajo u bë shteti i parë që në vitin 1994 iu bashkua programit të Partneritetit për Paqe. Deklarata e Samitit të Brukselit, e janarit të 1994-ës, e përkufizoi Partneritetit për Paqe si mundësi për “zgjerim dhe intensifikim të bashkëpunimit politik dhe ushtarak në Europë, rritjen e stabilitetit, zvogëlimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe ndërtimin e marrëdhënieve të përforcuara të sigurisë”.

Më pas, në maj të 1997-ës, NATO-ja dhe Rusia nënshkruan mes tyre Aktin e Themelimit, duke shprehur vendosmërinë “për të ndërtuar së bashku një paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në zonën euro-atlantike mbi parimet e demokracisë dhe sigurisë bashkëpunuese”. Në Aktin e Themelimit, NATO-ja dhe Rusia ranë dakord të bazojnë bashkëpunimin e tyre në parimet e të drejtave të njeriut dhe lirive civile, duke u përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri-tjetrit ose ndonjë shteti tjetër.

Akti i Themelimit thekson rëndësinë e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjithë shteteve dhe të drejtat e tyre për zgjedhjen e modelit të sigurisë për vetën e tyrë. Ky dokument i mundësoi Rusisë monitorimin në proceset e sigurisë në kufijtë e saj perëndimor, përmes së cilës u minimizua kundërshtimi rus për përfshirjen e shteteve të reja në NATO.

Angazhimi për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve të Lindjes që dolën nga suaza e ish Bashkimit Sovjetik në Aktin e Themelimit NATO-Rusi, erdhi si rrjedhojë logjike e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar u zotuan “të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës” dhe “të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”. Në këmbim të këtyre garancive Kievi hoqi dorë nga arsenali bërthamor, i cili konsiderohej si arsenali i treti më i madh në botë.

Sulmet terroriste ndaj SHBA-vë më 11 Shator 2001 zbutën më tej diferencat mes Perëndimit dhe Rusisë. Kështu, në maj të vitit 2002, NATO dhe Rusia nënshkruan një deklaratë në Romë të titulluar “Marrëdhëniet NATO-Rusi: Një cilësi e re”. Përmes këtij dokumenti u krijua Këshilli NATO-Rusi ku të dy palët angazhohen me të drejta të barabarta në funksion të bashkëpunimit në fusha të tilla si lufta kundër terrorizmit, menaxhimi i krizave, kontrolli i armëve dhe mbrojtja raketore.

Pika e kthesës

Teksa Rusia dhe Kina u rritën si fuqi dhe kriza ekonomike e vitit 2008 ekspozoi dobësinë e globalizimit, BE-ja dhe NATO-ja duhej të përshtateshin me realitetet e reja. NATO-ja zhvilloi funksione me një fokus praktik në ndërtimin e krahut të saj lindor dhe linjës së kontrollit midis Balltikut dhe Deti i Zi. Deri në atë kohë, fuqizimi i Rusisë përbënte shqetësim për sigurinë kombëtare për bllokun lindor të BE-së, ndërkohë që blloku perëndimor i BE-së përballej me problemet ekonomike dhe flukset e migratore nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Presidenti Putin në fjalimin e tij gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih në vitin 2007 shpalosi qëndrimin rus duke kundërshtuar rendin ndërkombëtar unipolar, të dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjerimin e NATO-s në Lindje të Europës.

Ndërkohë që kthesa vendimtare në raportet NATO-Rusi u shënua në vitin 2008, për shkak të veprimeve ushtarake të Rusisë në Gjeorgji, si pasojë e të cilave ajo vendosi kontrollin strategjik në Kaukaz. Ky veprim u intepretua si i nxitur edhe nga Deklarata e Samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 mbi anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, edhe pse që nga ajo kohë asnjë hap konkret nuk është hedhur në drejtim të anëtarësimit të këtyre vendeve në NATO.

Disa vite më vonë, ngjarjet në sheshin Maidan të Kievit politika ruse i përjetoi jo si vullnet i popullit për ndryshim, por si shprehje e presionit të fuqishëm politik dhe ekonomik të Perëndimit që synonte përfshirjen e Ukrainës në një trajektore drejt Perëndimit. Ky përjetim nxiti doktrinën ushtarake ruse të vitit 2014 duke listuar si kërcënim kryesor për sigurinë e Rusisë, zgjerimin dhe forcimin e potencialit ushtarak të NATO-s drejt kufijve të Rusisë dhe instalimin e fuqizimin e kontigjentëve të NATO-s në fqinjësinë e afërt të Rusisë.

Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, politika e jashtme ruse përjetoi një kthim të fuqishëm që manifestohet edhe në ditët e sotme nëpërmjet një raporti konfrontues me Perëndimin. Ukraina, kësisoj u kthye në një “mollë sherri” mes Perëndimit dhe Rusisë. Siç thoshte dikur Dean Acheson: “Rusia pa Ukrainën i ngjan një bishe të epërme raketore, ndërsa Rusia me Ukrainën është një kafshë strategjike krejtësisht tjetër”.

Njohja nga Rusia i dy territoreve në Lindje të Ukrainës është shkelje e Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktit Final të Helsinkit, Aktit Themelues NATO-Rusi, Memorandumit të Budapestit dhe Marrëveshjeve të Minskut. Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë shkon përtej refuzimit të bashkëjetesës paqësore të shteteve sovrane. Në të vërtetë Rusia dëshiron të ndryshojë rendin e vendosur në Europë pas Luftës së Ftohtë duke përdorur si burim frymëzimi projektin e “Rusisë historike”.

Prej konflikteve të ngrira drejt atyre kinetike

Deri dje natyra e kërcënimeve me të cilat përballeshin shtetet anëtare të NATO-s dhe BE-së nuk ishte e njejtë. Mirëpo, pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë përbën një kërcënim serioz për sigurinë e Europës. Gjithashtu, fuqizimi gradual i Kinës ka kohë që ka ngritur sirenat e alarmit në Washington, duke kërkuar në të njëjtën kohë prej europianëve përmirësim dhe rritje të investime për mbrojtjen në NATO, me qëllim që të kujdesen për sigurinë e tyre. Po t’i shtosh kësaj edhe përkeqësimin e mjedisit të sigurisë për shkak të problemeve socio-ekonomike, pasojat e Pandemisë, sikundër krizën humanitare si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, mund të thuhet se Europa po përjeton muzgun e sigurisë.

Për të përballuar këtë situatë, NATO-s do t’i duhet të forcojë kapacitetet e mbrojtjes për të penguar sulmet dhe siguruar në të njëjtën kohë anëtarët e bllokut Lindor. Duke njohur rëndësinë kritike të elementit hibrid në konfliktet kinetike, është i domosdoshëm bashkërendimi i përpjekjeve NATO-BE për të neutralizuar luftën hibride ruse.

Gjithashtu, është e rëndësishme që Perëndimi të zbatojë një qasje efektive me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë duke nxjerrë mësime nga e kaluara. Sanksionet ekonomike duhen programuar si një mjet për të inkurajuar ndryshimin e Rusisë në planin afatgjatë. Reduktimi i varësisë nga gazi rus pa sakrifikuar objektivat që BE-ja i ka vendosur vetes përsa i përket ndryshimeve klimaterike përbën tanimë një domosdoshmëri.

Është e qartë se rendi i sigurisë europianë e më gjerë ai i sigurisë globale që po krijohet prej këtyre zhvillimeve do të jetë në thelb konfrontues. Ndaj, uniteti i Perëndimit i simbolizuar në lidhjen trans-atlantike nuk mjafton. Nevojitet vendosmëri për formësimin në mënyrë aktive të rregullave të reja të angazhimit që do të dalin nga ky konflikt.

(*Ditmir Bushati ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë. Analiza është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert”)

Të ngjashme