Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), nëpërmes një komunikate shtypi, ka sqaruar se kjo ministri e cila mbikëqyr ndërmarrjet publike, nuk e ka emëruar Nuredin Krasniqin ushtrues detyre të kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Telekomi i Kosovës, sikur i njoftua sot nga Telekomi.
“Gjithashtu, pretendimet për ‘njoftimin e dërguar nga ana e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike për ndërmarrjen e hapave/veprimeve të nevojshme në raport me gjendjen e krijuar’ nuk është i vërtetë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka dërguar ose udhëzuar ndërmarrjen e asnjë veprimi”, theksohet në komunikatën e MZhE-së dërguar medieve.
MZhE thotë se me kujdes është duke u angazhuar që të gjejë zgjidhje sa më të shpejt për sa i përket Telekomit të Kosovës Sh.A. “Në këtë drejtim, brenda muajit mars, pritet të emërohet Bordi i Drejtorëve i cili sipas dispozitave ligjore në fuqi do të procedojë tutje me zgjedhjen e kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes”.
MZhE thekson se në cilësinë e pronarit të ndërmarrjeve publike, mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit në tërësinë e tij dhe se “asnjë vendim i njëanshëm nuk krijon efekt juridik dhe si i tillë nuk njihet”.