​Nga 1 korriku, BE-ja hap kufijtë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Brukseli ka njoftuar se nga 15 qershori planifikon të hap plotësisht kufijtë brenda vendeve të BE-së, duke i lejuar kështu që qytetarët nga vendet e Ballkanit Perëndimor të udhëtojnë në këtë zonë nga 1 korriku.

Ky rekomandim është përkrahur nga 27 vende anëtare të BE-së, pas zbutjes së masave mbrojtëse që ishin vënë për ta luftuar përhapjen e coronavirusit.

Me këtë veprim synohet rifillimi i turizmit në kohën kur edhe është sezoni veror, dhe qytetarë nga vende të ndryshme të botës dëshirojnë të shkojnë në pushime.

Megjithatë në Komisionin Evropian ka pasur edhe persona që ishin kundër lehtësimit të masave, duke pretenduar se është herët që plotësisht të hiqen masat mbrojtëse dhe udhëtimet në BE nga vendet tjera që nuk janë anëtare.

Sipas Komisionit Evropian, masat lehtësuese do të hyjnë në fuqi nga 1 korriku për Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, sepse “situata e tyre epidemiologjike është e ngjashme apo më e mirë sesa në vendet e BE-së”.

“Udhëtimi ndërkombëtar është çelësi i turizmit dhe biznesit si dhe për ribashkimin e familjeve dhe miqve”, ka deklaruar komisionerja e Çështjeve të Brendshme, Ylva Johansson. /Telegrafi/

Të ngjashme