Sokol Havolli pas largimit nga BQK emërohet kryeshef i “Prishtina Parking”

Prishtinë | 25 Tet 2022 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë “Prishtina Parking” ku Hallovi renditet i pari në mesin e pesë kandidatëve me më së shumti pikë 38.75.

Ardhja e Havollit në këtë pozitë vjen pas shkarkimit të Liridon Restelicës rreth 2 muaj më parë nga kjo ndërmarrje.

Lajmin për shkarkimin e tij e kishte bërë të ditur Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili pati thënë se një ndër arsyet për shkarkimin e tij është edhe keqpërdorimi i pozitës.

“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL ‘Prishtina Parking’ ka konstatuar se veprimet e kryeshefit ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL ‘Prishtina Parking’”, pati thënë Rama. /Telegrafi/

Të ngjashme