AKK dhe Vitia pajtohen që kufizimi i lëvizjes të vlejë nga ora 17-06, pritet të miratohet në Qeveri

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 23:19 | Nga Ekonomia Online

Vendimi për orët e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve ose ora policore është kundërshtuar nga të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas kryetarëve të komunave një gjë e tillë e ka bërë më të vështirë funksionimin e qyteteve dhe menaxhimin e situatës me koronavirus.

Sot, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga qeveria ndryshimin e këtij vendimi, dhe një gjë të tillë e ka kërkuar edhe sonte ministri i shëndetësisë.

Ai ka thënë se vendimi do të ndryshohet dhe sa i përket orareve të qarkullimit. Kufizimi do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Ky është postimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me GNMI, MPB dhe ministritë e linjës, konform Planit të Veprimit Kombëtar dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas analizimit të situatës epidemiologjike, monitorimit të kujdesshëm të këtyre ditëve, posa i propozoj Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së Republikës plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik.

Ndër to edhe ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve. Tani ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00.

Të dashur qytetarë,
Bashkëpunimi juaj, vetdisiplina, kujdesi dhe solidariteti janë jetike në këtë betejë.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi bashkë në administrimin e kësaj situate.
Ju lutem që të mirëkuptoni, ndiqni dhe të zbatoni të gjitha masat e reja. Për çdo shkelje të masave të përcaktuara, do të shqiptohen dënimet konform dispozitave ligjore.

Ju faleminderit për mirëkuptim!.

Të ngjashme