Aktakuzë ndaj 12 personave për rastin “Brezovica 1”

Prishtinë | 09 Dhj 2022 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj dymbëdhjetë  personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri B.N., si person zyrtar – Kryetar i Komunës së Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe të dytë  të  vikend zonës në Brezovicë, me ç’rast do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”  nga nen 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.  Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë​ se ka kryer edhe veprat penale “Marrja e ryshfetit” nga nen 428 par.2 të KPRK-ës, “Ushtrimi i ndikimit” nga nen 431 par.1 të KPRK-ës, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”  nga nen 366 par.1 të KPRK-ës.

Për të pandehurin D.R.,ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, si person zyrtar, Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 2 nënpar.2.2 të KPRK.  Sipas Prokurorisë, për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprat penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par 2 i KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga nen 366 par.1 të KPRK-ës.

Për të pandehurit D.R., H.B., dhe D.M.,- ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 21 Dhjetor 2021,në bashkëveprim, si persona zyrtar, i pandehuri i parë drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, kurse i pandehuri i dytë dhe i tretë  si inspektor komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit-tani Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Shtërpcës, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në pajtim me nenin 24 të Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në atë mënyrë që pas marrëveshjes që të lejojnë ndërtimet pa leje, në mënyrë që të përfitojnë dobi pasurore për vete, me këtë kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së. Po ashtu, ndaj të njëjtëve ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer në bashkëkryerje edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndaj të pandehurit S.M., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2010 deri në fund të vitit 2014, si person zyrtar, shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës, dhe deputet i Kuvendit të Kosoves, në mënyrë të drejtpërdrejt ka kërkuar dhe pranuar para për vete që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfeti”  nga neni 428 par.2 e KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprat penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga nen 366 par.1 të KPRK-ës.

Për të pandehurin A.Ç- ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë vitit 2016 dhe 2017, si person zyrtar- Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të lidhur me par.2 nënpar.2.2 KPRK-së.

Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.

Për të pandehurin B.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 20 Dhetor 2021, si person zyrtar-Kryeinspektor në MMPH, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare,në pajtim me nenin 7 të  për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që nuk ka ndërmarr veprimet ligjore-ekzekutive, për të ndaluar ndërtimet e vikend-shtëpive dhe objekteve hoteliere në Parkun Kombëtar ,,Sharri’’-vikend zona e Brezovicës, edhe pse ishte në dijeni se objektet ishin duke u ndërtuar pa pëlqime mjedisore dhe në afërsi të lumit, kurse disa ndërtime edhe në zonën e dyte të Parkut, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 të lidhur me par.2 nënpar.2.2 KPRK-së. Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”  nga neni 414 par 1 të KPRK-së.

Për të pandehurin M.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri në fund të vitit 2020, si person zyrtar-shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH-së, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare në pajtim me nenin 8 të Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit” nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Për të pandehurin H.A., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2014 deri  2016, si person fizik, në mënyrë të terthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ,e këtë ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK. Për të njëjtin, ekzisotn dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-

Ndaj të pandehurit S.S., ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin B.N., në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 të KPRK-së, me qëllim të veproj në kundërshtim me detyrat zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë” nga neni 428 par.2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Ndërsa, ndaj J.K., sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin B.N., në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit me qëllim të veproj në kundërshtim me detyrat  zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë” nga neni 428 par.2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Kurse, ndaj R.B., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 21 Dhjetor 2021, si person zyrtar-shef i personelit në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit”  nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së. Po ashtu, ndaj të njëjtit eksziton dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes Rasim Maloku, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë.

Të ngjashme