Ambasada amerikane ka një apel për qytetarët e Kosovës pas rritjes së rasteve me Covid-19

Prishtinë | 12 Nën 2020 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë thirrje që të punohet së bashku për të ulur lakoren e infektimeve me COVID-19.

Ambasada amerikane ka deklaruar se disiplina është e nevojshme që të kthehet normaliteti në vend.

“Ne duhet të punojmë së bashku për të ulur lakoren në Kosovë. Disiplina dhe solidariteti janë të nevojshme për të kthyer Kosovën përsëri në punë. Rri në shtëpi dhe vendose maskën”, thuhet në apelin e ambasadës.

Ndryshe, për shkak të rritjes së rasteve, nga e premtja do të hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID në Kosovë.

Ato tashmë janë votuar në Qeveri të Kosovës.

Me këto masa, varësisht se në cilat zona të rrezikshmërisë gjenden komunat e vendit, është e përcaktuar edhe karantina dhe puna e lejuar e gastronomisë.

Sipas masave që hyjnë në fuqi nga e premtja, në Prishtinë dhe 6 komuna të tjera të Kosovës, pas orës 19:00 do të ketë “orë policore”.

Kurse, aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën zonë të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna.

Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët. Komunat në “zonën e kuqe” janë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica e Jugut, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj.

Këto komuna janë cilësuar me rrezik të lartë të infeksionit pasi kanë mbi 150 persona të infektuar në 100 000 banorë brenda javës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme