Ambasada amerikane reagon pas djegies së shtëpisë së një serbi ne Cërnicë të Gjilanit

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Ambasada amerikane në Kosovë ka reaguar pas lajmit për djegien e shtëpisë së një shtetasi serb në Cernicë të Gjilanit.

Ambasada e SHBA’së përmes një reagimi në Twitter ka thënë se dhuna që shënjestron komunitetet në Kosovë duhet të jetë e papranueshme.

“Dhuna që ka në shënjestër komunitete të pakicave, përfshirë dyshimet e fundit për zjarrvënie të qëllimshme që i kanë prekur shtëpitë e serbëve të Kosovës, duhet të jetë e papranueshme për të gjithë qytetarët që besojnë në paqe dhe drejtësi. Incidente të këtilla duhet të hetohen plotësisht dhe të ketë ndjekje penale për to”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka dënuar aktin e  djegies së shtëpisë private të Svetozar Cvetkoviq, në fshatin Cernicë të kësaj komune.

Në reagimin e Hazirit, thuhet se mbrëmë nga Njësia e Zjarrfikësve dhe Policia e Kosovës janë njoftuar për një zjarr në shtëpinë e Svetozar Cvetkovic, në fshatin Cernicë dhe ekipet komunale kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. 

“Sipas shërbimeve të Komunës, shërbimeve të preventivës dhe Inspekcionit, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, zjarri është shkaktuar nga pakujdesia nga një grup i të rinjve, të cilët pa leje kanë hyrë dhe shfrytëzuar shtëpinë private. Hetimet po vazhdojmë dhe në emër të Komunës së Gjilanit e dënoj aktin dhe kërkoj nga organet e drejtësisë që ta thonë fjalën e tyre sa më shpejtë. Ekipet e Komunës janë autorizuar që ta bëjnë vlerësimin e dëmeve të pronës”, thuhet në reagim”, thuhet në reagimin e kryetarit të Gjilanit

Të ngjashme