Ankesat e operatorëve shtyjnë fillimin e ndërtimit të objektit të gjimnazit të Pejës

Prishtinë | 16 Dhj 2020 | 08:07 | Nga Ekonomia Online

Projekti për ndërtimin e objektit të ri të gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë qe katër muaj gjendet në procedurë të tenderimit. Njoftimi për kontratë është shpallur më 15 shtator, por procedurat tenderuese aktualisht janë pezulluar dhe qe një muaj lënda gjendet në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas ankesave të disa operatorëve. Vlera e parashikuar e kontratës është afro 2 milionë e 300 mijë euro.

Më 11 nëntor Zyra e Prokurimit të Komunës së Pejës kishte njoftuar operatorët konkurrues për vendimin që ka sjellë komisioni vlerësues, i cili ka rekomanduar për kontratë konsorciumin nga Komuna e Istogut “Mercom Company & Menti Sh.P.K.”, që kishte dhënë ofertën 1 milion e 774 mijë e 787 euro. Në mesin e katër operatorëve që kanë paraqitur ankesat në OSHP, pasi paraprakisht Zyra e Prokurimit të Komunës së Pejës ua kishte refuzuar kërkesat për rishqyrtimin të lëndës, është edhe një operator nga Prishtina, që kishte pasur ofertë prej mbi 200 mijë eurosh më të ulët sesa operatori i rekomanduar për fitues të këtij tenderi.

“Është rekomanduar operatori që ka qenë me ofertë më të lartë se ne. Oferta jonë ka qenë afro 1 milion e 500 mijë euro. Na pretendojmë që kemi qenë përgjegjës dhe më të mirë. Por Autoriteti Kontraktues (Komuna e Pejës) nuk na i kanë marrë për bazë disa gjëra dhe na ka eliminuar. Kështu që kemi konsideruar që ka qenë e padrejtë eliminimi dhe jemi ankuar në OSHP. Tash jemi në pritje të vendimit nga OSHP-ja”, i ka thënë KOHËS përfaqësuesi i operatorit “Sinani ING” Sh.P.K. nga Prishtina.

Në Zyrën e Prokurimit të Komunës së Pejës pohojnë se ky operator, por edhe disa të tjerë janë eliminuar me arsyetimin se nuk kanë qenë të përgjegjshëm. “Çmimi i ofertës së operatorit ekonomik të rekomanduar nga Autoriteti Kontraktues prej 1.774.787 eurosh ka qenë oferta më e lira e përgjegjshme. Ka pasur edhe më të lirë me oferta, por komisioni vlerësues i këtij aktiviteti të prokurimit i ka vlerësuar si operatorë të papërgjegjshëm. Ka pasur që nuk i kanë qitur çmimet në gjitha pozicionet e tenderit. Me ligj të prokurimit nuk bën mos me qitur çmim në pozicione, nuk bën me qitur zero, duhet me pasë çmim në secilin pozicion. Pra, nuk i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e Autoritetit Kontraktues”, pohon menaxheri i Zyrës së Prokurimit, Xhemë Berisha.

Ai ka bërë të ditur se tenderi është pezulluar pasi lënda gjendet në OSHP. “Tash jemi në pritje të vendimit të OSHP-së për këtë aktivitet të prokurimit”, thotë Berisha, sipas të cilit në këtë tender kanë konkurruar 12 operatorë ekonomikë.

Projekti për ndërtimin e gjimnazit është dyvjeçar, por aktualisht jo të gjitha mjetet janë të siguruara për të. Në dokumentin e njoftimit për kontratë të shpallur më 15 shtator thuhet se për vitin 2020 janë ndarë 300 mijë euro, kurse pjesa tjetër ndahet në vitet 2021 dhe 2022.

KOHA ka kontaktuar drejtorin e Financave, Jeton Abazaj, i cili ka treguar se për vitin 2021 janë planifikuar të ndahen edhe 280 mijë euro për projektin e gjimnazit, e pastaj shuma e mbetur, sipas tij, do të ndahet në vitin final të projektit, më 2022. Sipas drejtorit të Financave, projekti i gjimnazit do të financohet nga të hyrat vetjake.

Ndërtimi i objektit të ri të gjimnazit “Bedri Pejani” ka për qëllim mbajtjen e mësimit vetëm në një ndërresë, sipas standardeve kurrikulare. Objekti i ri është paraparë të ndërtohet afër objektit të vjetër, në pjesën ku gjendet fusha sportive. Arkitektura e jashtme e objektit të ri do të jetë e ngjashme me objektin e vjetër. Edhe lartësia e kateve do të jetë e njëjtë si i objektit të vjetër, që nga jashtë të mos dallohet fare cili është objekti i ri e cili i vjetri, por të duken të dy objektet njëjtë. Objekti i ri do t’i ketë 30 paralele, kurse objekti i vjetër ka 27 paralele. Me ndërtimin e objektit të ri do të ndahen edhe dy drejtimet në dy objekte. Njëri për drejtimin shkencor dhe tjetri për drejtimin shoqëror.

Ndërtimi i objektit të ri të gjimnazit ka qenë premtim i kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, gjatë fushatës zgjedhore në vjeshtë të vitit 2017. Fillimisht Komuna kishte planifikuar që ndërtimin ta bëjë në partneritet publiko-privat dhe si shembull kishin marrë një model të jetësuar në Varazhdin të Kroacisë, porse kjo formë e financimit ishte larguar nga tavolina për shkak të procedurave të shumta. Objekti i vjetër i gjimnazit, i ndërtuar para 84 vjetësh është rinovuar i tëri tre vjetët e kaluar me disa projekte dhe i është ruajtur arkitektura e tij brenda dhe jashtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme