Anketa nga PIPS-i: Shqiptarët i besojnë Merkelit, serbët Putinit

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 11:58 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Si aleati kryesor i Kosovës në arenën ndërkombëtare shihet SHBA-ja, ndërkaq brenda BE-së shteti kryesor aleat shihet Gjermania. Ndërsa Angela Merkel mbetet si liderja më e pëlqyer nga shqiptarët, pas saj Donald Trump dhe presidenti turk Erdogan, raporton Ekonomia Online.

Kështu ishin shumica e përgjigjeve nga hulumtimi i anketës të zhvilluar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”.

Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) tha se në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 1200 qytetarë, ku 800 prej tyre ishin shqiptarë, 200 serbë dhe 200 qytetarë nga komunitetet tjera.

“Ky hulumtim është zhvilluar në gjitha komunat e Kosovës dhe janë marrë mbi 1200 respodentë duke përfshirë edhe komunitetet serbe dhe komunitetet tjera të moshës madhore mbi 18 vjeç. Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 800 shqiptarë, 200 serb dhe 200 pjesëtarë të komuniteteve tjera. Gjermania i prin listës në pyetjen se kush duhet të jetë partnerë kryesor ekonomik i Kosovës me rreth 39 për qind, Angela Merkel rikonfirmohet si liderja më e preferuar e kosovarëve me 63 për qind, ndërkaq pas saj vjen Donald Trump me 15 për qind dhe Erdogan me 10 për qind. Brenda respodentëve të komunitetit serb kanë zgjedhur presidentin rus Vladimir Putin si liderin e tyre të preferuar me 73 për qind. Ndërkaq NATO sipas kosovarëve është organizata ndërkombëtare që i ka ndihmuar më shumë Kosovës nga vitit 1999, e pasuar nga BE me 19 për qind”, tha ai.

Granit Tërnava nga Konrad Adenauer Stifting (KAS), tha se Gjermania konsiderohet si partneri kryesor ekonomik për Kosovës, derisa liderja më e preferuar në nivel botëror është kancelarja Angela Merkel me 63 për qind.

“Gjermania llogaritet se duhet të jetë partneri kryesor ekonomik për Kosovën me 39 për qind, karshi 34 për qind që ka qenë në anketën paraprake kjo besoj është mesazh i çartë për qeverinë e ardhshme se nga duhet t’i orientoi edhe politikat edhe qasjen ndaj investitorëve të huaj.. Zonja Merkel mbetet liderja më e pëlqyer në nivel botëror për qytetarët e Kosovës me 63 për qind e konfirmimit derisa në anketën paraprake në shkurt përkrahje ka qenë 53 për qind, pra kemi një rritje prej 10 për qind”, tha ai.

Profesori i shkencave politike, Armend Muja foli për taksen. Ku dha statistika të disa komunave dhe preferencave të tyre përkitazi me heqjen apo jo të taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

“Çështja e taksës. Unë mendoj se shoqëria është e ndarë në dysh. E vërtetë se kur taksa është vendosur ka pasur 90 për qind përkrahje ndërkaq Komunat veriore nuk e përkrahin taksën siç janë Podujeva, mitrovica dhe me dëshirë rekomandojnë që qeveria ta heq taksën. Diçka ndryshe mendojnë Gjakova dhe Ferizaj qoftë nga origjina e taksës apo edhe benefiteve tjera”, tha Muja.

Muja tha se çështja e ndarjes tashmë ka marrë epilog real dhe qytetarët nuk e duan këtë si dhe formimin e asociacionit.

Të ngjashme