Apeli përgjysmon dënimin e Darko Tasiqit për krime lufte në Kosovë

Prishtinë | 01 Dhj 2020 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, që nga Gjykata Themelore e Prizrenit ishte dënuar me 22 vjet burgim në muajin qershor.

Në një njoftim për media, Apeli ka bërë të ditur se e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit. Tani është ndryshuar cilësimi juridik i veprës dhe vendimi mbi dënimin. Tani Tasiq do të vuajë dënimin prej 11 vjetësh burgim.

“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3 Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj. I akuzuari, është dënuar nga Gjykata e Apelit më 11( njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim”, thuhet në njoftim të Apelit.

Tasiqi ishte dënuar më 22 qershor me 22 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte shpallur Tasiqin fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Tasiq ishte shpallur fajtor edhe për akuzën se mes 15-26 marsit 1999 në Krushë të Vogël si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Republikës Federative të Jugosllavisë, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Gjykimi i Tasiqit kishte nisur para dy vitesh dhe që nga ajo kohë ishte në paraburgim. Tasiq pati mohuar fajësinë dhe është mbrojtur në heshtje.

Gjatë kohës sa ishte bërë publik vendimi nga Themelorja, ka pasur protesta para Gjykatës nga familjarë të viktimave dhe banorë të Krushës së Vogël. Familjarët e viktimave kanë vendosur fotografi të më të dashurve të tyre para Gjykatës në Prizren, si kujtim për krimet që janë bërë dhe si thirrje për dënimin e fajtorëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme