Arrestohet zyrtari policor në Mitrovicë, dyshohet se mori 25 mijë euro ryshfet

Prishtinë | 23 Jan 2020 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Një zyrtar policor i Drejtorisë së Mitrovicës së Veriut është arrestuar gjatë të mërkurës pasi ishte i përfshirë në një aktivitet të kundërligjshëm, saktësisht për “Marrje Ryshfeti”, dhe “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, i dyshuari (zyrtari policor me inicialet D.K) ka kërkuar një shumë të konsiderueshme të parave (25.000 euro) nga një qytetar për t’i bërë të mundur transferimin e pajisjeve të një fabrike nga komuna e Zveçanit në komunën e Graqanicës.

“Hetuesit e IPK-së kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore që ka përfshirë grumbullimin e informacioneve shtesë në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Bazuar në Kodin e Procedurës Penale hetuesit e IPK-së kanë siguruar urdhëresën për masa të fshehta nga Gjykata Themelore e Mitrovicës duke përfshirë këtu edhe masat e fshehta të hetimit respektivisht simulimit të veprës penale”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit.

Një shumë prej 12 mijë e 500 eurosh policia i gjeti gjatë arrestimit tek i dyshuari, të cilat dyshohet se i ka pranuar nga ankuesi.

“Hetuesit e IPK-së të cilët janë asistuar edhe nga njësi të specializuara të Policisë së Kosovës dhe ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit – zyrtarit policor D.K (pjesëtar i Policisë së Kosovës në Njësinë Reaguese të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Veriu), gjatë arrestimit tek i dyshuari janë gjetur 12.500 euro (dymbëdhjetë mijë e pesëqind euro) të cilat dyshohet që i ka pranuar nga ankuesi/viktima”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit të arrestuar, nga hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme