“Asnjë marrëveshje s’do të jetë e plotë, nëse Serbia s’tregohet bashkëpunuese për të pagjeturit”

Prishtinë | 30 Gus 2018 | 13:51 | Nga Tirana Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Inciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka organizuar marsh me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.

Marshi ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek objekti i Qeverisë së Kosovës, ku qytetarët, të cilët marshuan, kanë mbajtur në duar emrat e të zhdukurve.

Marigona Shabiu nga Iniciativa e të Rinjve për  të Drejtat e Njeriut ka thënë se edhe pas dy dekadave, familjarët e personave të pagjetur dhe shoqëria kosovare po ballafaqohet me mohimin e së drejtës për të vërtetën rreth të pagjeturve.

“Edhe pas pothuajse dy dekadave, familjarët e mbi 1600 personave të pagjetur dhe shoqëria kosovare, në përgjithësi, po përballen me mohimin e së drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi, prandaj ky është një marsh për të vërtetën, është një marsh për drejtësi”, theksoi Shabiu.

Shabiu tha se marshi ka për qëllim të ngrijë vetëdijen dhe përgjegjësinë shoqërore për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë për të pagjeturit.

“Ky marsh ka për qëllim të ngrijë vetëdijen dhe në të njëjtën kohë përgjegjësinë shoqërore për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë për të gjithë të pagjeturit nga të gjitha grupet etnike. Është përgjegjësi e secilit dhe secilës prej nesh që të ngrijë zërin për personat e pa gjetur dhe familjarët e tyre” shtoi gjithashtu ajo.

Në emër të gjithë marshuesve, i bëri thirrje kryeministrit dhe komisionit qeveritar për persona të zhdukur që të angazhohen më shumë për të pagjeturit.

“Nga ky shesh sot dhe çdo ditë tjetër i bëjmë thirrje  kryeministrit dhe komisionit qeveritar për persona të zhdukur, për të shtuar angazhimin e tyre për çështjen e personave të pagjetur, aq më shumë në këtë periudhë kur dialogu me Serbinë ka hyrë në fazën finale dhe është thirrje për presidentin si udhëheqës i dialogut politik me Serbinë që të vendosë në krye të agjendës  çështjen e personave të pagjetur”.

“Asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të jetë e plotë, nëse nuk kemi garancë nga Qeveria e Serbisë që do të tregohet bashkëpunuese në zbardhjen e fatit e 1648 personave të pagjetur. Ne nuk do të ndalemi derisa secili dhe secila prej tyre të gjinden dhe  tu kthehet dinjiteti që e meritojn të vendoset drejtësia për krimet e bëra ndaj tyre”, tha Shabiu,

Gramoz Berisha , i mbijetuari i masakrës së Suharekës, ka thënë se, sikurse familjarëve dhe personave të pagjetur që u mohohet e drejta për të ditur për këta persona, poashtu edhe atij dhe familjes së tij u mohohet ajo e drejtë.

“Edhe pas 19 vjet pas luftës mua dhe familjes time ende na mohohet e drejta për të ditur se ku janë më të dashurit tanë, njëjtë sikurse u mohohet e drejta edhe familjarëve të 1648 personave të pagjetur”.

“Unë bashkë me familjarët e personave të pagjetur dhe shoqëria kosovare kërkojmë nga shteti  i  Kosovës që çështjen e personave të pagjetur ta  kthejë në prioritet dhe të punojë në zbardhjen e fatit të tyre pa kompromise”.

Në fund të marshimit,qytetarët, që mbanin emrat e të pagjeturve, i futën në një kuti të zezë, të cilën do t’ia dërgojnë kryeministrit të Kosovës me pyetjen : Kryeministër edhe sa do të  qëndrojë kjo kuti plot ?, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme