Auto-shkollat paralajmërojnë protestë më të ashpër të mërkurën

Prishtinë | 04 Qer 2020 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Shoqatës së Auto-shkollave, Xhemshit Cakolli, ka paralajmëruar protestë tjetër të mërkurën, nëse Ministria e Infrastrukturës nuk merr masa për lejimin e ushtrimit të veprimtarive të tyre.

Ai në Express Intervista të KTV-së ka thënë se do të ftohen të gjithë instruktorët e regjioneve të Kosovës që të protestojnë me vetura para Ministrisë së Infrastrukturës.

Cakolli ka thënë se rruga te Qeveria dhe ndërtesa e Ministrisë së Infrastrukturës do të bllokohet.

“Të mërkurën do të mbajmë edhe një protestë, të gjitha regjionet e Kosovës, të gjithë instruktorët do të vijnë me veturat e tyre. Pjesa te Qeveria do të jetë e bllokuar dhe për këtë do ta njoftojmë edhe Policinë”, ka thënë ai.

Cakolli tutje thotë se është i pakënaqur me, siç thotë ai, neglizhencën që iu është bërë.

“Ne kemi pritur që në fazën e tretë t’ia fillojmë por nuk ka ndodhur. Ne i kemi shkruar disa here edhe ish-ministrit Lumir Abdixhiku. Ne kemi kërkuar disa herë ta sqarojmë këtë. Kemi thënë se nëse autobusët mund ta ushtrojnë veprimtarinë atëherë pse ne të mos e fillojmë. Ne nuk kemi rrezik sepse ne jemi veç me një kandidat në veturë, madje edhe distanca respektohet”, ka thënë ai.

Ai tutje thotë se ka më shumë se 300 kandidatë të cilët janë duke pritur t’i nënshtrohen pjesës praktike dhe teorike për patentë-shofer.

Cakolli thotë se një numër i madh i kandidatëve janë regjistruar në mars, atëherë edhe kur ka filluar situata me pandeminë.

“Prej asaj kohe deri më tash ne kemi 400 auto shkolla, rreth 200-300 kandidatë janë në pritje që të pajisen me patëntë shofer. Në qoftëse Ministria e Infrastrukturës na neglizhon atëherë ne duhet të gjejmë kompromis me kandidatët të cilët kanë paguar”, ka thënë ai.

Ai thotë se kanë bërë kërkesë përsëri te ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, për t’u takuar të hënën.

“Unë sot kam bërë shkresë menjëherë, iu kam drejtuar ministrit që e ka marrë detyrën. Unë i kërkova ministrit që sa më parë të kemi takim. Unë kërkoj që të mos na pengojnë në punën tonë dhe të na lejojnë t’i kryejmë obligimet ndaj kandidatëve”, ka thënë ai.

Ndërkaq Cakolli ka thënë se të gjithë punëtorët të cilët kanë qenë të regjistruar kanë përfituar nga Pako Emergjente.

Të ngjashme