Banorët e Pouskes kërkojnë t’i ndërrohet vendbanimi ariut të murrmë, FSK del në terren

Prishtinë | 05 Maj 2019 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Duke u përgjigjur shqetësimeve të fundit të banorëve të fshatit Pouske të komunës së Prizrenit në lidhje me dëmet e shkaktuar nga Ariu i Murrmë (kafshë e egër e mbrojtur me ligj), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka emëruar një Komision për vlerësimin e masave që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e banorëve dhe pasurisë së tyre të shkaktuara nga Ariu i Murrmë.

Në kuadër të këtyre vlerësimeve dhe masave MMPH/AMMK ka kontaktuar me shumicën e institucioneve relevante që mundë të ofrojnë ndihmë dhe përkrahje në gjetjen e një zgjedhje të përshtatshme për këtë rast.

Meqenëse ky rast ndërlidhet me sigurinë e qytetarëve të cilët kanë ankesa të vazhdueshme se u rrezikohet jeta dhe kanë pësuar dëme të pasurisë së tyre, MMPH/AMMK ka kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim edhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

FSK i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese dhe sot një ekip nga njësia ndërlidhëse e FSK për reagim në rastet e krizave së bashku me disa anëtarë të komisionit të formuar nga MMPK/AMMK, kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Ata kanë vizituar lokacioni dhe janë takuar me banorët e fshatit dhe me ata që kanë pasur dëme nga ariu.

Gjatë analizës së situatës dhe shqyrtimit të nevojave dalë edhe propozimi i banorëve që zgjidhja me e mirë për te tejkaluar situatën do të ishte ndërrimi i lokacionit për ariun e murrmë.

Të ngjashme