Boletini: RTK-ja i ka trashëguar 1.6 milion euro borxhe, rrezikojmë të humbim shuma të mëdha në Gjykatë

Prishtinë | 12 Pri 2022 | 12:20 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 1.6 milion euro llogaritet t’i ketë borxhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Krahas këtij borxhi, mediumi publik rrezikon të humbasë para edhe në Gjykata, shkaku i ndërprerjes së kontratave në të kaluarën, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

“RTK rrezikohet goxha shumë. Në kuadër të keqmenaxhimeve në RTK, kanë ndodhur shkëputje të kontratave. Ne rrezikojmë shuma të mëdha. Çështjet përmbarimore është një shqetësim i tanishëm. Rrezikojmë të na bllokohen llogaritë sepse RTK i ka trashëguar 1.6 milion euro borxhe nga vitet paraprake”, tha Boletini.

Boletini, tha se e kanë dorëzuar raportin, ndonëse sipas tij, nuk kanë qenë në bord.

Ai ka thënë se punëtorët kanë filluar të dalin në punë, duke lënë të kuptohet se më parë kjo nuk ndodhte me të gjithë.

“Kemi mundësuar liri editoriale në RTK”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Prokuroria është duke u marrë me një mori rastesh që kanë ndodhur në RTK ndër vite, porse ka shtuar se nuk mund të japë më shumë informacione, pasi procesi është në fazën fillestare.

“E gjithë skena programore do të jetë prodhim i RTK-së. Nuk ka mundësi që bordi të kërkojë favore nga menaxhmeneti. Po e them publikisht. Është standard i ri i vendosur nga ne. Ne kemi parë në RTK të punësuara vajza të tezes e familjarë të tjerë. Nuk do të ndikohemi nga asnjë presion i brendshëm apo i jashtëm. Ridvan Berisha prej kafes e ka sjellë njeriun me dhënë emision në RTK. Rasti është në gjykatë. Është e tmerrshme me pa atë emision”, tha ai.

Deputeti Besim Muzaqi ka pyetur se kur do të ketë auditiim për RTK-në.

“Kemi marrë një garancë për një auditim profesional. Jemi duke i pritur edhe raportet nga menaxhmenti”, ka thënë Boletini.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se 450 mijë euro ka qenë dëmi i shkaktuar nga kompania e pastrimit, e cila ishte kontraktuar nga televizioni publik.

“Pronari i kompanisë së kontraktuar më nuk i ka këto para. Por e ka një shtëpi dhe do t’i merret nga institucionet e drejtësisë. Megjithatë dëmi nuk mund të arrihet”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që të ndryshohet formati i raportimit, duke shtuar se do të votojë kundër këtij raporti.

Të ngjashme