Bregu: “Bashkëpunimi Rajonal” dhe “Integrimi Rajonal” janë dy anë të së njëjtës medalje

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

‘Bashkëpunimi Rajonal’ dhe Integrimi Rajonal’ janë dy anë të së njëjtës medalje.

“Tregjet e Integruara mund të jenë pjesë e procesit të integrimit në BE. Por Bashkëpunimi Rajonal është më shumë sesa Tregjet e Integruara. Është një proces politik. Kjo është arsyeja pse Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, i nënshkruar nga udhëheqësit e BP6, në Sofje muajin e kaluar, është një plan i mirë. Një integrim ekonomik që nuk merr parasysh realitetet ekonomike, politike dhe sociale të gjitha së bashku është një recetë drejt dështimit. Prandaj, ne kemi punuar pikërisht në këtë kuadër për të qenë realist dhe i arritshëm”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), sot, në hapjen e Samitit të BE-Ballkanit Perëndimor “Friends of Europe” 2020.

“Kriza ndikon në dy perspektiva – në të brendshmen dhe të jashtmen. Ndërkohë që pandemia e COVID-19 po riorganizon botën në mënyrë rrenjësore, duke na bërë të gjithëve shumë vulnerabël dhe të brishtë, rajonalizimi mund të rritet si një rrugë alternative drejt zhvillimit. Sidoqoftë, këto përpjekje përballen me sfida dhe vonohen, ose disa braktisen për arsye nga më të ndryshmet. Hapat fillestarë, siç është integrimi më i thellë mes nesh, nuk mund të kenë sukses pa ndërmarrjen e hapave, të metEjshëm, paralelë për integrimin e tregjeve tona në tregun e BE-së. Vetëm në këtë mënyrë qëllimet mund të rriten dhe procesi të konsiderohet i suksesshëm”, përfundoi fjalën e saj Bregu.

Sekretarja e Përgjithshëm e RCC-së hapi Samitin me tematikën ‘Mbështetja e rajonalizimit: Një urë për demokraci të fortë dhe të qëndrueshme’ së bashku me Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut, Karoline Edtstadler, Ministre e Federatës Austriake për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën dhe Petko Doykov, Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme Të Bullgarisë. Sesioni u moderua nga Dharmendra Kanani, drejtore dhe zëdhënëse e “Asia, Peace, Security & Defense”.

Për të katërtin vit radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është një partner i ‘think-tank’-ut (organizimit të grupit të ekspertëve) me bazë në Bruksel “Friends of Europe” (FoE), në organizimin e Samitit vjetor të BE-Ballkanit Perëndimor, së bashku me mbështetjen e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara dhe Europe for Citizens Programme (Programi për Qytetarët Europian) i Bashkimit Evropian. Samiti BE-Ballkan Perëndimor 2020: Zgjidhjet kreative, bashkëpunimi i qëndrueshëm dhe zhvillimi smart (i mençur) do të mbahet nga data 7 deri më 9 Dhjetor online.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme