Coronavirusi nuk do t’i ndalë aktakuzat nga Haga, flasin zyrtarët e Tribunalit

Prishtinë | 17 Pri 2020 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Përhapja e pandemisë dhe pezullimi i punës në shumë institucione nuk do të vonojë publikimin e aktakuzave të para të ngritura nga Prokurori i Specializuar. Nga zyra për media e Dhomave të Specializuara kanë bërë të ditur për Gazetën Express se shqyrtimi i aktakuzave të dorëzuara do të bëhet sipas afatit të planifikuar.

Në shkurt të këtij viti, përmes një komunikate për media është bërë e ditur se pas disa vitesh hetime, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzat e para pranë Dhomave të Specializuar të Kosovës në Hagë. Shqyrtimi i këtyre aktakuzave mund të bëhet më së largu deri në muajin gusht.

Ani pse pas përhapjes së koronavirusit, nuk është njoftuar për ndonjë ftesë të re për intervistim nga Haga, publikimi i aktakuzave të para do të bëhet sipas afatit.

Ata kanë bërë të ditur se shqyrtimi i aktakuzave do të bëhet sipas afatit të planifikuar.

“Puna e gjykatësit të procedurës paraprake, i caktuar nga Presidenti për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar, vazhdon siç ishte planifikuar”, kanë bërë të ditur nga zyra për media.

Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale tashmë ka marrë disa masa preventive për mbrojte ndaj koronavirusit.

Kjo sipas zëdhënësit, Christopher Bennett është bërë të mundësohet zbatimi i mandatit të kësaj zyre.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka prezantuar masa në përgjigje të Covid-19 në përputhje me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik, duke bërë të mundur që ajo të vazhdojë të zbatojë mandatin e saj”, ka deklaruar Bennet i pyetur . Megjithatë ai nuk ka bërë të ditur më shumë detaje.

“Nuk diskutojmë detaje operacionale”, ka shtuar ai.

Me caktimin e gjykatësit të procedurës paraprake që do të shqyrtojë aktakuzat e ngritura nga prokurori i speciales, mbeten edhe katër muaj, deri në fund të afatit për vendim, nëse do të hiqen apo pranohen aktakuzat.

Në këtë fazë të procedurës, se për kë është ngritur aktakuzë mbetet krejtësisht konfidenciale.

Ngritjen e aktakuzave nga Specialja, e kanë kundërshtuar në vazhdimësi organizatat e veteranëve. Madje, kreu i OVL – UCK, Hysni Gucati thotë se tash e disa muaj janë duke punuar me disa ekspertë vendor e ndërkombëtar, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, shfuqizim ky që sipas Gucatit, mund të ndodh në muajin qershor.

Mandati i Speciales është kthyer në vëmendje pas letrave që kanë shkëmbyer presidenti i vendit, Hashim Thaci me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo.

Thaci në letrën e publikuar ka kërkuar edhe gjykimin e serbëve, ndërsa zyrtari amerikan ia ka tërhequr vërejtën që çdo lëvizje për pengimin ose shfuqizimin e gjykatës do të ketë pasoja të mëdha.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla është i fundit që është bërë e ditur se ka udhëtuar për në Hagë për intervistim. I njejti është nisur për në Hagë me datën 8 mars.

Të ngjashme