Deputetja e PDK-së e pyet ministrin Vitia: Si ka mundësi që nuk e dini numrin e të infektuarve në Veri?

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariania Musliu –Shoshi e ka kritikuar Qeverinë, konkretisht Ministrinë e Shëndetësisë që nuk ka qasje në menaxhimin e pandemisë së Coronavirusit në Veri të vendit.

Ajo ja ka parashtruar disa pyetje ministrit të Shëndetsëisë, Arben Vitia, mes tjerash se si ka mundësi që ministria që ai e drejton të mos ketë njohur për numrin e të infektuarve apo të izoluarve.

Ky është postimi i plotë i saj:

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës janë institucionet e vetme për të komunikuar dhe të lëshuar njoftime të sakta dhe valide në lidhje me të infektuarit me Covid-19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa, kjo nuk aplikohet kur është në pyetje veriu i Mitrovicës!

Jo më larg se dje, dy kryetarët e komunave të Mitrovicës (Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq) mbajtën konferencë duke treguar situatën aktuale në lidhje me pandeminë. Z. Rakiq, tregoi se numri i të infektuarve me Covid-19 në pjesën veriore është 17 dhe janë mbi 200 qytetarë të izoluar. Përderisa nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Ministria për këtë numër të të infektuarve, si institucioni i vetëm që e ushtron mbikëqyrjen ligjore dhe profesionale në tërë sistemin shëndetësor të Kosovës.

Shtrohen disa pyetje thelbësore:

1. Si ka mundësi që për numrin e të infektuarve në Komunën e Mitrovicës së Veriut të mos jetë në dijeni Ministria e Shëndetësisë, ndërsa kryetari i saj të tregojë numrin e të infektuarve dhe numrin e të izoluarve?

2. A ka marrë vendim Ministri për izolimin e këtyre banorëve në ndonjë lokalitet në veriun e Mitrovicës?

3. Në cilin institut janë duke u kryer analizat e mostrave nga të infektuarit në këtë komunë të Kosovës?

Të ngjashme