Dita Botërore e Shamisë, thirrje për eliminimin e barrierave për gratë dhe vajzat me shami në Kosovë

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Bartja e shamisë nëpër institucione, veçmas nëpër shkolla, viteve të fundit ka qenë njëra nga temat që ka nxitur debate në Kosovë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Shamisë, sërish në është aktualizuar kjo temë për gratë me mbulesë në Kosovë.

Ambasadorja e Kosovës në kampanjën “World Hijab Day”, Valbona Bytyqi, thotë për Telegrafin se kjo ditë nuk e gjen mirë Kosovën sa i përket përkrahjes dhe pozitës së gruas në përgjithësi në Kosovë, e në veçanti në mbështetjen e grave dhe vajzave me shami.

“Sot më 1 shkurt, shënohet dita botërore e mbulesës shikuar në rrafshin e përgjithshëm pozita e gruas në vendin tonë nuk është aq e lakmueshme. Por kur jemi përballë vajzave dhe grave me shami mendoj, që Kosova nuk qëndron aq mirë sa i përket përkrahjes së vajzave dhe grave me shami,” potencoi ajo.

Sipas Bytyqit, gratë dhe vajzat me shami në Kosovë, hapin e parë që e bëjnë hasin në pengesa të mëdha dhe paragjykime. Ajo thotë se në Ministrinë e Arsimit ende është në fuqi Udhëzimi administrativ, që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

“Me vetë fakti që në Ministrinë e Arsimit ende është në fuqi një Udhëzim Administrativ i cili ndalon bartjen e shamisë nëpër shkolla, vajzat me mbulesë qysh në hapin e parë të shkollimit, që eshtë e drejtë themelore njerëzore, ballafaqohen me barriera”, theksoi ajo.

Valbona Bytyqi, ambasadore e Kosovës në “World Hijab Day”

Kampanja “World Hijab Day Kosovo”, ka filluar aktivitetin e saj më 1 shkurt 2019, për të shtyrë përpara ndërgjegjësimin e opinionit në përgjithësi, e po ashtu edhe të vetë grave dhe vajzave që e manifestojnë fenë nëpërmjet veshjes.

“World Hijab Day Kosovo përherë të pare ka filluar me 1 shkurt 2019. Kjo është një nismë vullnetare që ka për qëllim ndërgjegjësimin e opinionit ndaj diskriminimit të vajzave dhe grave në përgjithësi, dhe të vajzave dhe grave që manifestojnë fenë nëpërmjet veshjes së tyre në veçanti. Kurse kampanja globale” World Hijab Day” ka filluar me 1 shkurt 2013 nga ideatorja dhe themeluesja Nazma Khan një emigrante nga Bangladeshi në Amerikë ”, deklaroi Bytyqi.

Ajo pohon se përgjatë këtyre viteve vazhdimisht i kanë ftuar edhe institucionet e vendit për përkrahje, mirëpo asnjëherë nuk kanë kanë gjetur mbështetje.

“Kemi kërkuar përkrahje nga institucionet të ndryshme të vendit, por fatkeqësisht asnjëherë nuk i janë përgjigjur ftesës sonë”, përfundoi Bytyqi.

Në anën tjetër në Ditën Botërore të Shamisë, imami Labinot Maliqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, e ka quajtur bullizëm atë që po iu bëhet vajzave me shami nëpër shkolla.

E kjo për shkak të fuqizimit administrativ të ndalesës së bartjes së shamisë nëpër shkolla nga ana MASHT-it.

“Ndalesa e Ministrisë së Arsimit për bartjen e shamisë në shkolla, po vazhdon të shkaktojë bullizëm tek ato vajza që e bartin atë. E meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha mbrëmë se:

‘Jam i gatshëm t’i përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës.” Atëherë, kërkoj që t’i përgjigjet kërkesës sonë dy dekada e vjetër, duke e shfuqizuar ndalesën administrative të MASHT-it, e cila po vazhdon t’ua mohoj vajzave të drejtën e tyre kushtetuese për t’u shkolluar, dhe të drejtën kushtetuese për ta praktikuar hapur besimin e tyre””, ka shkruar Maliqi në Facebook.

Të ngjashme