Dogana lanson aplikacionin për telefonat e mençur

Prishtinë | 04 Tet 2021 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Dogana e Kosovës së fundmi ka publikuar aplikacionin për telefona të mençur i cili u mundëson qytetarëve dhe i fton ata të jenë pjesë aktive e parandalimit dhe raportimit të kontrabandës, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative.

Dogana ka njoftuar se janë funksionalizuar dy sisteme të reja operative të cilat mund të instalohen në telefonat e mençur.

Kur shkarkohet aplikacioni, qytetarët mund të kenë qasje në dy sisteme:

Sistemi i parë ju mundëson raportimin e korrupsionit, kontrabandës dhe parregullsi të tjera

Mjafton të shkarkoni aplikacionin e-Dogana ku duke klikuar në njërën nga menytë kryesore mund ta raportoni korrupsionin, kontrabandën dhe parregullsi të tjera. Qytetarëve u është dhënë mundësia që përmes këtij aplikacioni duke përshkruar rastin, vendndodhjen dhe bashkangjitur provat të bëhen pjesë e parandalimit dhe luftimit të dukurive negative të shoqërisë.

Sistemi tjetër mbron qytetarët nga mashtrimet me kilometra gjatë shitjes së veturave 

Po ashtu përmes aplikacionit e-Dogana qytetarëvë iu është ofruar mundësia që të bëjnë verifikimin e veturave të zhdoganuara nga data 1 shtator 2021 e deri më sot. Duke shënuar numrin e shasisë së veturës ju merrni informata rreth detajeve të veturës, kilometrave të kaluara dhe statusin e zhdoganimit.

Aplikacionin mund ta shkarkoni në Google Play Store duke kërkuar me emrin eDogana ose klikoni në linkun: https://play.google.com/store/apps/details?id=com.dogana.lajmerodoganen 

Të ngjashme