Doktoresha fajëson partitë politike për rritjen e rasteve me Covid-19: Urgjente sjellja e vaksinave

Prishtinë | 14 Mar 2021 | 08:08 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Doktoresha në Klinikën Infektive, Jehona Zhuti, në një intervistë për Ekonomia Online tha se është nevojë urgjente sigurimi i vaksinave anti-Covid. Ndërsa për rritjen e rasteve, ajo fajësoi partitë politike për pakujdesinë e treguar gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e 14 shkurtit.  

“Sa i përket vaksinës duhet me u krijua një strategji qysh me e  sjell vaksinën këndej, duhet edhe me veprua sepse është një nevojë urgjente dhe të gjinden kanalet e komunikimit që të sigurohet vaksina sa më shpejtë dhe kishte me qenë lehtësim goxha i madh që me përballu gjendjen në të cilën jemi”,tha Zhuti.

“Për një moment hoqëm dorë prej zbatimit të masave si popull, dhe këtu po përfshijë të gjitha klasat, unë kisha thënë që pak ishin edhe këto fushatat elektorale dhe e  kemi pritur një gjë të tillë, për shkak se nuk kishte respektim të masave assesi veçse u pa dhe kemi qenë të përgatitur që ka me pasë rritje të numrit pikërisht prej kësaj. Tashmë edhe populli si duket është lodhur ndoshta për faj edhe të këtyre ndodhive të fundit dhe po shihet që nuk po i respektojnë masat, mbajtjen e maskës, ruajtjen e distancës dhe higjienën dhe normalisht nëse del qytet i sheh kafenetë plot, ose është një lloj lodhje ose ka filluar mu krijua bindja që me u pajtua me këtë gjendje por që po reflekton keq në nivelin ndërkombëtar si një vend i vogël që jemi me këta numra shumë të mëdhenj”, theksoi tutje ajo.

Lidhur me variantin e ri Covid-19, ajo thekson që nuk ka informata për një variant të tillë në Kosovë.

“Për sa i përket variantit të ri ende nuk kemi ndonjë informatë saktë që varianti i tillë që po thonë anglez e ka prekur edhe Kosovën, të paktën unë nuk jam në dijeni për këto informata, por është e frikshme sepse të bën me mendua që faktikisht ky virus është duke pësuar mutacione dhe ato ndryshime në strukturën e vet me gjasë si duket ose po i përshtatet vendit ose është puna edhe replikimi të shpejtë që shumë herë e çon atë virus se Coronavirusat e kanë këtë veti, dhe normalisht që e dëgjon fjalën mutacion e variant i ri ta krijon një lloj frike sepse pritet gjithçka”, theksoi tutje ajo.

Tutje, doktoresha në Klinikën Infektive thekson që duhet mbledhur të gjithë akterët brenda dhe jashtë vendit dhe të gjendet një zgjidhje, por ajo kundërshton mbylljen totale.

“Ka ardhur koha që të bëhen bashkë të gjithë edhe ekspertët edhe të jashtëm dhe të brendshëm sepse kemi edhe jashtë shtetit ekspertë që janë të Kosovës por edhe këta brenda, dhe të shohim se çfarë duhet bërë. Për sa i përket një mbyllje totale nuk e di sa kish mund me u arsyetua nga ana politike përderisa nuk ishin në gjendje vet me i zbatua shteti ato masa kur ishte puna e zgjedhjeve, tash po flas si një qytetare, jo si doktoreshë kishte me qenë një budallëk me kërkua një mbyllje totale, por duhet gjetur një zgjidhje urgjente”, përfundoi ajo.

Të ngjashme